5 vjet nga nisja e reformës në drejtësi në Shqipëri, ambasada e SHBA-së vlerëson arritjet


Ambasada Amerikane në Tiranë ka organizuar një takim me rastin e 5 vjetorit të nisjes së reformës në drejtësi.
Sipas përfaqësisë diplomatike të SHBA në Shqipëri “reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur” por shpreh mirënjohje për ata që e kanë sjellë Shqipërinë deri këtu.
Ambasada e SHBA thotë se “progresi nuk duhet të matet vetëm nga distanca deri në destinacion, progresi duhet të matet edhe nga sa larg kemi arritur në udhëtim”.
“Si një reformë gjithëpërfshirëse, Shqipëria zgjodhi të ndërmerrte një plan tërësor për të rivlerësuar integritetin dhe profesionalizmin e anëtarëve të sistemit të drejtësisë dhe promovimin e një kulture të re nëpërmjet ndryshimit të strukturës së institucioneve të drejtësisë nëpërmjet depolitizimit dhe decentralizimit”, thuhet në komunikatën e shpërndarë nga ambasada.



































