30 ditë paraburgim për të miturin e dyshuar për rrahje dhe dëmtim të pasurisë

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj një të mituri, i dyshuar për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.
Sipas njoftimit të gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe pas mbajtjes së seancës dëgjimore.
I mituri dyshohet se më 13 gusht, rreth orës 06:10, në një rrugë në Ferizaj, së bashku me dy persona të tjerë, ka sulmuar një person me të cilin njëri prej të dyshuarve kishte pasur një mosmarrëveshje rreth një vit më parë në Zvicër.
Sipas dyshimit të bazuar të përshkruar nga gjykata, të dyshuarit fillimisht e kanë përcjellë viktimën me veturë dhe, pasi e kanë takuar, kanë dalë nga automjeti dhe e kanë sulmuar.
Njëri nga të dyshuarit dyshohet se e ka goditur viktimën me thikë në pjesën e majtë të abdomenit, ndërsa një tjetër e ka goditur me grushte dhe shqelma. Më pas, edhe i mituri dyshohet se e ka goditur disa herë me shkop druri në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.
Viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore është transferuar në QKUK në Prishtinë.
I mituri dyshohet gjithashtu se, pas përleshjes, ka dëmtuar derën e hyrjes dhe inventarin brenda një biznesi, duke shkaktuar dëme materiale.
Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit dhe ndaj të miturit ka caktuar masën në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese, por ankesa nuk e shtyn ekzekutimin e tij./Telegrafi/








































