LAJMI I FUNDIT:

26 Marsi 1990: Vullkani që tronditi komunizmin në Shqipëri

Në vitin 1950-52 vazhdoja studimet në Shkodër në shkollën pedagogjike 2 vjeçare me program të avancuar. Drejtor kishim z. Shaban Arra, figurë e nderuar e arsimit tonë kombëtar. Ai më ka nderuar duke më bërë një vizitë miqësore në familjen time në vitin 1956.

Me mbarimin e shkollës (korrik 1952) shkolla organizoi një ekskursion në fashtin Guri i Zi, Shkodër. Fshati dukej i heshtur sikur i kishte rënë hija e vdekjes. Tek tuk shihje vetëm fëmijë të vetmuar dhe disa gra. Me një shok u bëmë kureshtarë dhe pyetëm një grua veshur me të zeza që kaloi rastësisht përpara nesh.


Ku janë burrat? – i thamë.

Si na hodhi një vështrim të shpejtë, dhe kur pa që ishim të veçuar, nëna e moshuar foli me mallëngjim: Burrat na i vrau pushka e qeverisë! (Sigurimi i Shtetit) Dhe pastaj u largua me shpejtësi.

14 janari 1990 – Revolta e parë antikomuniste në Shqipëri
Sipas rrëfimit të pjesëmarrësit Bep Pjetri

Shkodra është jo vetëm trevë e patriotizmit, por edhe qendër e kundërshtimit kryesor të regjimit komunist. Kjo për faktin sepse diktatura komuniste manifestoi ndaj popullit të Shkodrës një qëndrim të egër.

Me 14 janar 1990 mijëra demonstrues si lëvizën në rrugët e qytetit me parulla antikomuniste, u drejtuan për te busti i Stalinit në qendër të qytetit. Qëllimi i demonstruesve ishte që të rrëzonin statujën e diktatorit Stalin. Sigurimi i Shtetit veproi menjëherë dhe si bisha të tërbuara u vërsulën mbi organizatorët, duke përdorur edhe mjete të rënda. Sigurimi i Shtetit me forcë arrestoi 600 pjesëmarrës të revoltës. Të arrestuarit u dërguan në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës, ku u keqtrajtuan duke i rrahur dhe gjakosur. Shumë nga organizatorët pasi i kishin torturuar në Shkodër, i dërguan në hetuesinë speciale të Tiranës, ndërmjet të cilëve: Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka (i cili u vra në Vjenë, në mënyrë misterioze), Kolec Kublina, Flamur Elbasani, Ndoc Liqejza, Gjovalin Ralba, Viktor Martini, Nekolin Thana, Tonin Ndema, Nikolin Margjini, Klaudio Daka, e shoqja e Tef Curranit, Huana Kraja, Bac Bilali, Ylli Gërshana, Aldo Perizi, dy vëllezërit Alibali, një djalë i Guciajve, e motra e Vera Omarit, dy vëllezërit Haxhi, etj.

Revolta e parë antikomuniste e Shkodrës qe preludi i fillimit të lëvizjeve të mëdha antikomuniste në Shqipëri.

Rusët shkurorëzojnë filozofinë ëndërrimtare të marksizmit-leninizmit

Në tetor 1917 me fitoret e revolucionit në Rusi fillon epoka famëkeqe e komunizmit. Nën rrezet përvëluese të ombrellës së komunizmit do të futej bota lindore, po ashtu edhe Shqipëria.

Në Rusi jeton dhe punon një popull me vlera të larta historike, që e çmon lirinë dhe jetën. Për kulturë dhe shkencën botërore, populli rus është një thesar i paçmuar. Por, vepra gjakatare e tetorit, ia veniti jetën popullit rus. Bashkë me miliona të vrarë nga pushteti komunist rus u rrënua totalisht edhe ekonomia sovjetike që mbështetej në sistemin e kolektivizimit.

Nikita Hrushovi (Khrushchev) ngre këpucën e tij lart në OKB

Ekonomia sovjetike po jepte shenja plasaritjeje. Udhëheqësi i Partisë Komunistë të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovi doli me teorinë e “Bashkekzistencës Paqësore” me qëllim që të zbuste pasojat e krizës ekonomike të socializmit dhe të bashkëpunonte me perëndimin.

Hrushovi, ndonëse i paftuar në Nju Jork, ai erdhi si kreu përfaqësues i delegacionit sovjetik në OKB. Gjatë debatit të seancës së OKB-së me 12 tetor 1960 Hrushovi skandalizoi të gjithë sallën. I tërbuar dhe inatosur nga kritikat e bëra nga delegacioni i Filipineve, Lorenzo Sumulong për politikën e tij si dominante në Evropën Lindore, Hrushovi ngriti këpucën lart dhe i ra tavolinës, për t’i treguar perëndimit se Bashkimi Sovjetik është superfuqi.

Gjatë vizitës në SHBA, Hrushovi bëri një vizitë në një fermë blegtorale. Fermerët e pritën ftohtë. Aty pa se gjeli i detit arrinte me peshë 25 kilogramë, saqë kur e kapi i ra nga duart. Ndërsa një lopë jepte mbi 40 litra qumësht në ditë. Ai vërtetoi me sytë e tij të vërtetat e shkrimtarit sovjetik Ilia Erenburg, i cili në një libër kushtuar Amerikës, ngrinte lart ekonominë amerikane dhe standardin e jetesës.
Sistemi socialist u trondit nga kryengritjet e para që u bënë në Hungari dhe Çekosllovaki, ku trupat sovjetike i mbytën me gjak popujt e këtyre dy vendeve.

Në maj 1959, Nikita Hrushov bashkë me ministrin e mbrojtjes Marshal Malinovski bënë një vizitë zyrtare në Shqipëri për 12 ditë. Posaçërisht për këtë vizitë, Enver Hoxha ndërtoi rrugën e parë moderne në Shqipëri prej 20 km, nga Saranda në Butrint. Hrushovit i interesonte vlera strategjike e Shqipërisë. Ai kërkoi të vendoste raketat bërthamore në trullin e Shqipërisë dhe nëndetëse atomike në gjirin e Sarandës. Këtu u duk qartë natyra e tij prej agresori, sepse nuk ishte për paqen, por për luftën.
Gjatë rrugëtimit për në Sarandë Hrushovi kaloi në Kavajë. Hrushovit i bëri përshtypje indiferentizmi dhe pritja tepër e ftohtë e popullit të Kavajës dhe u interesua për të ditur emrin e qytetit. Kjo pritje e ftohtë u bë problem në Komitetin e Partisë së Kavajës dhe në Durrës. Por, kjo ishte përgjigja që i jepte populli i Kavajës sistemit komunist.

Gjatë vizitës në Butrint, Hrushovi mos përfilli dhe kritikoi punën e arkeologëve ku dëshmohej historia dhe kultura mijëvjeçare e kombit shqiptar. Ai iu drejtua Enver Hoxhës dhe i tha:

“Pse punësoni kaq shumë forca dhe shpenzoni fonde për gjëra të vdekura? I leni grekët dhe romanët tek antikiteti i tyre”.

Pasi thirri Malinovskin, dorën e tij të djathtë, i pëshpëriti në vesh: “Shiko sa e mrekullueshme. Këtu mund të ndërtojmë një bazë ideale për nëndetëset tona. Këto gjërat e vjetra duhen gërmuar dhe hedhur në det. Mund të ndërtojmë një tunel përmes maleve për në anën tjetër” – duke drejtuar gishtin tek fshati Ksamil. “Do kemi bazën më të sigurt dhe ideale në Mesdhe. Nga këtu mund të sulmojmë dhe paralizojmë çdo gjë.” (nga Përshkrimi i vizitës sipas Enver Hoxhës, botuar në 1980).

Gjashtë muaj më pas, Enver Hoxha prishi lidhjet me Bashkimin Sovjetik në mbledhjen e 81 partive në Moskë, tetor 1960, dhe u lidh me Kinën komuniste.

Demonstratat e para antikomuniste në Kavajë (1988-89)

Gorbaçovi, kryereformator i madh dhe burrë shteti, shihte tek komunizmi një sistem pa perspektivë, që i kishte sjellë popujve sovjetikë mjerime e vuajtje të mëdha. Që kur erdhi në fuqi, Gorbaçovi filloi veprimtarinë e tij për shkatërrimin e sistemit komunist dhe të bllokut komunist të vendeve të Lindjes, nën vartësinë e Bashkimit Sovjetik. Bëri marrëveshje me Gjermaninë për bashkimin e Gjermanisë Lindore me atë Perëndimore, duke shembur murin e Berlinit me 9 nëntor 1989. Ai me guximin e tij bëri edhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik duke thënë se nuk i mbaj me zor të bashkuar.

Nga fundi i viteve 1980, blloku komunist i lindjes po shpërbëhej, duke përmbysur regjimet totalitare nga revolucionet demokratike të këtyre popujve. Në këto momente historike, fatet e Kombit shqiptar, ku sundonte regjimi më i egër diktatorial, i mori në dorë inteligjenca demokratike. Intelektualët e shquar të Shqipërisë, si Sali Berisha, profesor Ylli Popa, Ismail Kadare, Genc Pollo, Azem Hajdari etj. me shkrimet e tyre të guximshme sensibilizonin popullin tonë, që i bashkuar të ngrihej për të fituar kohën e humbur: të rrëzohej diktatura staliniste.

Populli i Kavajës, si e tërë Shqipëria, duke provuar më tepër peshën e tiranisë komuniste, i izoluar nga dija perëndimore, nuk duroi më që të trajtohej si robotë skllevër, për ca skllavopronarë e pashallarë e kuq.

Me besë e trimëri populli i Kavajës që i pari që rrëmbeu flamurin e lirisë kundër komunizmit. Në mënyrë të vetëdijshme, me një organizim të përsosur të brendshëm, që në verën e vitit 1988 filluan grevat e para të sindikalistëve demokrat, nën drejtimin e Nazmi Rrolit, Fatmir Veliut, Skënder Gërrmani, Viktor Rrapi etj. Këta organizatorë u vunë në krye të grevës së punëtorëve të poçerisë, të ndërmarrjes leshpunuese dhe të fabrikës së qelqit. Punëtorët protestonin kundër shkurtimit të vendeve të punës, duke i pushuar nga puna me pretekstin e mungesës së energjisë elektrike, të lëndës së parë. Regjimi komunist i detyronte punëtorët me forcë që të shkonin për të punuar në kooperativë bujqësore. Rinia, si forca më e shtypur, ishte ajo që i dha tonin luftarak lëvizjes demokratike antikomuniste.
Më 1988-89 të rinjtë e Kavajës vazhdonin të shpërndanin trakte antikomuniste në lokalet e tregtisë, në shkolla, në fshatra si Synej. Ato kryenin veprime për heqjen dhe grisjen e parullave komuniste. Të rinjtë e Kavajës grisën portretin e diktatorit në gjimnazin e Kavajës dhe në S.M.T. (Stacioni i Makinave dhe Traktorëve) me autorë: Qazim Kariqi, Dik Ejupi, Alket Alushi, Xhevat Hylviu, Artan Lajthia, Adem Hylviu, Arben Goga, Artan Çelhyka, etj. Këto ishin goditje e fuqishme, që sollën çoroditje në udhëheqjen e partisë dhe të organeve të Sigurimit të Shtetit. Këto lëvizje ishin tronditje të forta kundër ferrit komunist dhe lajmëtare të një tajfuni të fuqishëm.

Përballë vdekjes: një popull i tërë me djemtë e tij, nga ana tjetër, xhelatët e kuq, që me qetësi të prishur hartonin plane për hakmarrje…

Kavaja u mbush me fytyra të panjohura, të egërsuara dhe të etura për gjak. U rrethua me ushtri, ndërsa ujqërit e “326”- ës (forcat speciale të ndjekjes së sigurimit), u lëshuan nga zinxhirët. Nuk pushonin së rrahuri receptorët e telefonave nga Durrësi e Tirana. “Të bëhen zap huliganët!…” Djemtë e Kavajës nuk ishin huliganë, por gladiatorë të lirisë, asllanë të Shqipërisë, stërnipër të Skënderbeut dhe Naimit, që u futën të parët në vallen e vdekjes për liri.

Të rinjtë demokratë që u vunë në ballë të demonstratave, ishin: vëllezërit Kariqi, Kazazi, (djemtë e Idrizit), Cara (djemtë e Lalës), Rrica, Gjoni, Veliu, Rrugeja, Tallushi, Shtini, Beçerri, Bizhdili, Hylviu, Ilir Babamusta, Osman Babamusta, Eqerem Hoxha, Dik Ejupi, Vasil Duro, Artan Kacani, Saimir Islami, Tahir Okshtuni, At Cara, Kasem Gjoci, Ver Zeqiri, Çezaj Petja, Fatmir Musaj, Et Sajgeri, Vullnet Çela, Lulëzim Berati, Artan Çelhyka, Et Duria, Eqerem Skuqi, Bardh Murati, Hasan Gjeçi, Ali Kallasi, Kristaq Tutulani, Arben Karkini, Hamdi Myftiu, Ilir Rrena, Artan Lajthia, Alket Alushi, Bardh Uzuni, Tanush Berberi, Madrid Pojana, Deud Elmazi, Mit Gjika, Ibrahim Elezi, etj.

Nëpërmjet veprës heroike të këtyre të rinjve mësojnë organizimin e tyre të përsosur tepër sekret. Veprimtaria e tyre ishte e ndarë në bazë të lagjeve, me një qendër kryesore ku komunikonin njëri me tjetrën. Dyqani i bukës, ku punonte Qazim Kariqi, qyqani i mishit i Eqerem Skuqit, shtëpia e Fatmir Veliut, e Idriz Kazazit dhe Adil Alushit, e Jak Shtinit, që kishte veprimtar besnik Osman Babamustën, shtëpia e Josif Budës, shtëpia e Xhevat Hylviut, etj, organizohej puna e përbashkët, këmbeheshin mendime, shkruheshin dhe merreshin trakte me shkrime: Komunizmi po vdes! Enverin do e nxjerrim nga varri!…

Përgjakja e 26 marsit 1990

Më 25 mars 1990 zhvillohet ndeshja midis Besës dhe Partizanit. Sipas vendimit marrë 10 ditë më parë, çdo i ri demokrat, do të mbante me vete veprat e Enverit, dhe mjete mbrojtjeje. Grupi prej 15 vetash drejtohej nga një person i caktuar. Sipas vendimit, në minutën e 80 të gjithë tifozët në stadium do ngriheshin në këmbë me sinjalin e parë. Dhe me të vërtetë, i tërë stadiumi, me mijëra qytetarë, u ngritën në këmbë, duke grisur veprat e Enverit publikisht.

Pjesëmarrësit në stadium shpërthyen me thirrjet: Poshtë komunizmi! Enver Hitler! Poshtë diktatura! Liri Demokraci! I tërë populli këndoi në një korr të vetëm: “O djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje ja liri, se mjaft në robëri.”

I riu Betim Misiri, çau kordonin e policisë dhe u fut në mesfushë, për të ngritur dhe mbajtur lart moralin. Ndërsa populli këndonte këngë patriotike, policia e veshur me skafandra, me armë zjarri, e ndihmuar nga oficerët e sigurimit, u sulën drejt demonstruesve. Përleshje e përgjakshme!

Televizioni mundohej me urdhrin e kryetarit të degës, të identifikonte autorët, organizatorët, por më kot. Policia gjakosi dhe burgosi dhjetëra të rinj. Ndërmjet të cilëve, dhe vëllezërit Rexhep dhe Ilir Rrugeja.

Si kundërpërgjigje të reprezaljeve të policisë dhe burgosjes së shokëve, të cilët u torturuan, qendrat drejtuese të demonstratës morën vendim unanim që me 26 mars 1990 të bëhej një demonstratë tepër e fuqishme. Me besë Arbërore liria do përleshej me vdekjen. Sipas vendimit, bashkimi i demonstruesve do bëhej tek parku i qytetit të Kavajës, në orën 5 pasdite. Qazim Kariqi kishte lajmëruar elektrikun që në orën 7 të fikeshin dritat. Disa qindra të rinj u grumbulluan para godinës së policisë me thirrjet: Vrasës lironi shokët tanë. Aty dëgjoheshin edhe thirrjet vajtuese të nënave dhe motrave të djemve të Kavajës, që protestonin për bijtë e tyre. Të rinjtë goditën me gurë policinë, sulmuan godinën dhe makinave përreth iu vu zjarri. Policia u struk ndër bodrume.
Pas 15 minutash demonstruesit shkuan tek Komiteti i Partisë, duke i vënë zjarrin dhe shkatërruan çdo gjë.

Demonstruesit, të ndarë në disa grupe, krahshtërnguar, manifestuan nëpër qytet me parrulla kundra komunizmit. Çaste më emocione të jashtëzakonshme! Të bëhej zemra mal tek shihje këto djelmosha krahshtërnguar, që ishin nderi dhe lavdia e kombit. Për altarin e lirisë po dhuronin edhe jetën e tyre rinore. Sërish populli u bashkua me demonstruesit. Tronditi tokën nga të rinjtë zemërluanë.
Në atë kohë, unë ndodhesha në shërbim (dezhurn) në Komitetin Ekzekutiv të qytetit. Bie zilja e telefonit:

– Alo, – dëgjohet një zë. Dhe më pyet: Çkemi nga Kavaja?

– Asgjë, – i thashë. Po bie shi tropikal. Siç duket do kemi pranverë të begatë! Mos u shqetësoni.

Shtëpia ime ndodhej tek parku, pranë policisë dhe komitetit të partisë. Gruaja ime, bashkë me vajzën e vogël, duke parë skenën reale dhe ngjarjet tronditëse vrapuan tek puna ime për të më paralajmëruar.

Me 28 mars 1990, Sigurimi i Shtetit arrestoi dhjetëra të rinj dhe i torturoi në polici. Tortura të tmerrshme provuan Fatmir Veliu, Qazim Kariqi, Vasil Duro, Jak Shtini, Xhevat Hylviu, Rexhep dhe Ilir Rrugeja, etj, të cilët i dërguan në hetuesinë e Durrësit. Sërish natën e 28 marsit e deri në mëngjes qindra gra, vajza, prindër të familjeve të arrestuara dhe banorë të tjerë të qytetit protestuan tërë natën para Degës së Punëve të Brendshme. Britmat e nënave dhe vajzave me të qarat e tyre dëgjohej shumë larg, me thirrjet: Kriminelë, ju ka ardhur fundi. Lëroni fëmijët tanë!

Por, bishat komuniste ishin bërë më të egërsuara, sepse po i ikte pushteti, po humbisnin parajsën. Në Durrës, bazuar në thëniet e të rinjve demokrat të burgosur, i torturojnë, duke përdorur edhe pistoletën elektrike. I lejnë pa bukë, pa gjumë, duke kërkuar me çdo kusht organizatorët. Xhelatët e kuq, kur e panë se as torturat fizike dhe psikike nuk i nënshtruan të rinjtë demokratë, i dënojnë me burgime me aktakuzën: Agjitacion e propagandë, përmbysje e pushtetit me dhunë, dhunim me forcë i Degës së Punës së Brendshme dhe i Komitetit të partisë. Vuajtjet e këtyre të rinjve qenë edhe më të tmerrshme. Disa prej tyre u liruan prej burgjeve në prag të fitores së Demokracisë me 22 mars 1992.

Me këto veprime legjendare Kavaja u bë për pushtetarët e kuq, thembra e Akilit. Për Shqipërinë, zemra e saj. Ndërsa Evropa dhe Perëndimi, ktheu kryet me respekt tek rrezatimet që përhapte ky qytet. Lajmet që përhapeshin për Kavajën se “çpo bën Kavaja”, “presim nga Kavaja” ishin shumë domethënëse.

Disa nga demonstruesit e 26 marsit, që sulmuan policinë në Kavajë:
(nga libri i Rexhep Rrugejes, "Stadiumi ‘Besa’ dhe ngjarjet e 1990 në Kavajë”)

1. Qazim Kariqi
2. Artan Kaçani
3. Dik Ejupi
4. Xhevat Hylviu
5. Fisnik Gjoni
6. Ar Gjoni
7. Genci Gjoni
8. Ylli Gjoni
9. Zabid Karkini
10. Arbën Bala
11. (Panokja) Zamir Kallasi
12. Ali Kallasi
13. Çim Kallasi
14. Gëzim Çelçima
15. Arbën Karkini
16. Gëzim Babamusta
17. Fatmir Veliu
18. Mit Gjika
19. Hasan Karkini
20. Bert Gagu
21. Ervin Gabo
22. Astrit Gega
23. Zan Sedja
24. Nuz Sedja
25. Fatmir Musai
26. Agim Bala
27. Gëzim Kola
28. Daut Elmazi
29. Sali Elmazi
30. Vullnet Leka
31. Hasan Leka
32. Lik Shehu
33. Altin Derjaj
34. Hamdi Kuli
35. Luan Xhihani
36. Sil Durja
37. Ilir Mançeçi
38. Ilir Musta
39. Çim Kazazi
40. Spartak Kazazi
41. Gazment Kazazi
42. Ilir Kapllani
43. Artan Kanapari
44. Tahir Okshtuni

Përleshja e 10 korrikut 1990

Dragonjtë e kuq të sigurimit u sulën sërish si qenë të tërbuar. Të rinjtë e Kavajës dhe populli i tij heroik qenë ata që në gjimnazin e Kavajës, në fillim të viteve 1990 hodhën veprat e Enver Hoxhës përtokë dhe detyruan një lider të komitetit qendror të P.P.Sh.-së të kalonte mbi këto vepra.

Lëkundje të tjera të fuqishme u ndien në tërë Shqipërinë. Forcat speciale të sigurimit të 326-ës u sulën në Kavajë me 10 korrik 1990 duke goditur, rrahur dhe qëlluar edhe pleq. Sërish përleshje gjakatare mes të rinjve dhe sigurimit tek lagja afër kishës. Nga plumbat e sigurimit, bie hero luftëtari i parë demokrat, i riu Josif Buda.

Me arkivol, mbuluar me flamurin kombëtar, mbi 20,000 qytetarë e fshatarë protestojnë kundër kësaj vrasëse barbare. Një popull i tërë me arkivolin në duar duke shëtitur nëpër qytet bëri betimin: hakun do ta marrim! Skena urrejtjeje të paimagjinueshme nga populli. Griset dhe digjet portreti i Ramiz Alisë, që nuk u bë Gorbaçov.

Si e tërë Shqipëria, edhe në Kavajë, pas Lëvizjes Studentore të dhjetorit 1990 në Tiranë, u vendos pluralizmi politik. Ditët e lirisë po afronin. Me fitoren e Demokracisë, shumë prej këtyre të rinjve iu akordua titulli i lartë nga Presidenti i Republikës, “Pishtar i Demokracisë”.

Në trend

Më shumë
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Drejtësi
Kalo në kategori