LAJMI I FUNDIT:

23-vjetori i Epopesë së UÇK-së, krerët e shtetit vlerësojnë sakrificën e familjes Jashari

23-vjetori i Epopesë së UÇK-së, krerët e shtetit vlerësojnë sakrificën e familjes Jashari
Parada e FSK-së /Foto: Ridvan Slivova

Mesditën e së premtes(sot), filluan manifestimet për nderë të 23-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në kazermën “Adem Jashari”, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës parakaluan në prani të krerëve të shtetit dhe përfaqësuesit të familjes Jashari, Bekim Jashari.


Të gjithë të pranishmit, vlerësuan lartë sakrificën e familjes Jashari.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj që u mbajt në Kazermën “Adem Jashari”, për nderë të 23-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, tha se më 1998 rezistenca e komandantit Adem Jashari, familjes së tij dhe gjithë banorëve të Prekazit, përçoi mesazhin e qartë se liria nuk ka kompromis.

Komandantin legjendar, Adem Jashari, Vjosa Osmani e kujtoi si misionar të lirisë duke shtuar se ai e kishte të qartë synimin për liri të vendit pa asnjë kusht.

“Sot 23 vjet më parë në Prekaz familja Jashari luftoi për të mbrojtur familjen, Prekazin dhe gjithë Kosovën, duke dhënë shembullin e rrallë në historinë e një familje që bëri sakrificën më sublime që ne sot të gëzojmë lirinë dhe pavarësinë. Prekazi i Ademit është bërë referencë e lirisë, rast unikat në historinë e re te njerëzimit, kur një familje sakrifikohet për të mirën e përgjithshme, për lirinë e vendit”, shtoi Osmani.

Parada e FSK-së/ Foto:Ridvan Slivova

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani tha se Adem Jashari mbetet ikonë e luftës dhe lirisë së Kosovës.

Osmani kujtoi edhe fjalët e Komandantit, të cilat janë të publikuara në një video, ku Osmani theksoi se ai i ka pasur të qarta qëllimet e tij dhe atë që e deshi për vendin e vet.

Parada e FSK-së/ Foto:Ridvan Slivova

“Në një nga video incizimet e pakta, ai e kishte të qartë se çfarë deshti për vendin e vet, lirinë e vendit pa asnjë kusht. Në atë incizim thoshte “Jam këmbëngulës në parimet që jemi marrë vesh. Besa-besë deri në vdekje. Vetëm besa-besë deri në vdekje, tjetër nuk ka, në grykë të pushkës”. Faleminderit Komandant. Ne sot duhet të përpiqemi që fëmijëve tua mbajmë të freskët kujtimin për liri. Duke ua kujtuar atyre rrugën e zoprshme deri te liria”, tha Osmani gjatë ceremonisë së FSK-së për Epopenë e UÇK-së e cila ka filluar sot më 5 mars 2021.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti gjatë kësaj ceremonie tha se Adem Jashari dhe anëtarët e tij të familjes u bën emblema e vërtet e ushtrisë dhe popullit.

Parada e FSK-së/ Foto:Ridvan Slivova

“Ju drejtohem sot në këtë datë unike, e cila shënon jo vetëm rënien e komandanti legjendar me familje por kjo datë shënon edhe fillimin e  fundit të robërisë shekullore. Akti i rezistencës së familjes Jashari, dha frymëzimin e madh për t’i rezistuar një regjimi. Adem Jashari dhe anëtarët e tij të familjes u bën emblema e vërtet e ushtrisë dhe popullit”, u shpreh Hoti.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari në fjalën e tij në paradën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për nder të Epopesë së UÇK-së ka thënë se sakrifica shekullore e popullit si dhe lufta dhe gjaku i derdhur i të rënëve është bazamenti i shtetit të demokratik të Kosovës.

Jashari po ashtu tha se të rënët kanë lënë amanet që ta zhvillojnë shtetin e Kosovës, në mënyrë siç tha ai që të rinjtë dhe gjenerata e ardhshme ta gjejnë perspektivën në vendin e tyre.

Parada e FSK-së/ Foto:Ridvan Slivova

“Sakrifica shekullore e popullit tonë si dhe lufta dhe gjaku i derdhur është bazamenti i shtetit tonë demokratike. E kemi amat që ta duam he ta zhvillojmë në mënyrë që të rinjtë tanë dhe gjeneratat ta gjejnë perspektivën në Kosovë. Duhet të jemi të bashkuar që të jetësojmë amanetin e të rënëve”, ka thënë Jashari.

Ai po ashtu tha se Kosova sot ka ushtrinë e saj e cila radhitet në mesin e ushtrive për ruajtjen e paqes në botës, krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe NATO-s. /Telegrafi/