eksperti ad

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar se ushtria serbe është arsyeja pse askush nuk guxon ta sulmojë vendin që e udhëheq, derisa ka shtuar se nesër me rastin e Betejës së Kosovës, siç e quajnë serbët “Vidovdan”, do ta demonstrojnë forcën e tyre. E, përveç kërcënimit me ushtri, ai foli sërish për orientimin e Serbisë kah Rusia dhe Kina.

Gjatë një fjalimi të mbajtur para mbështetësve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), duke paralajmëruar demonstrimin e forcës së ushtrisë serbe, Vuçiq tha se Serbia nuk ka pse të përmbush cdo kërkesë, duke shtuar se “nuk e kanë bërë kurrë”.


"Nesër është Vidovdani, shikoni forcën e ushtrisë suaj, do të shihni pse askush nuk do të jetë në gjendje ta sulmojë Serbinë. Ne nuk kemi pse të përmbushim çdo kërkesë dhe nuk e kemi bërë kurrë. Serbia merr vendime në mënyrë të pavarur. Por e gjithë kjo është mirë, kur jemi në rrugën evropiane. Por se a do t’i prishim miqësitë, si me Kinën, Rusinë – jo, nuk do ta bëjmë këtë. Nuk i hedhim miqtë tanë kur është e vështirë. Ne i vlerësojmë ato miqësi”, tha ai.

Ani se foli kështu, siç edhe bën zakonisht, duke u munduar të “ulet” në dy karrige, pretendoi se megjithatë, Serbia mbetet e përkushtuar në rrugën drejt integrimit evropian.

“Dhe a do të nxitojmë në rrugën evropiane, po, do të bëjmë atë që duhet të bëjmë", tha Vuçiq. /kp/