LAJMI I FUNDIT:

110-vjetori i Pavarësisë, Ambasadorja Amerikane: SHBA, krenare që bashkëpunon me ju

110-vjetori i Pavarësisë, Ambasadorja Amerikane: SHBA, krenare që bashkëpunon me ju

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ka publikuar një mesazh urimi drejtuar shqiptarëve me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë.

Diplomatja amerikane vlerëson kontributin e Shqipërisë në 100 vjet marrëdhënie diplomatike me SHBA dhe shprehet se është krenare për një aleat të tillë.


“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është nderi im të uroj popullin e Shqipërisë në 110-vjetorin e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu krenare të festojnë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe partneritetin e gjerë e të fortë që kemi ndërtuar së bashku”, tha ajo.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të nderuara të punojnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa ju vazhdoni të jepni kontribut të rëndësishëm në skenën botërore. Shqipëria ka shfaqur lidership dhe guxim duke mbështetur Ukrainën dhe duke vënë në dukje veprimet e aktorëve keqdashës në Evropë dhe në mbarë botën”, shton Kim.

“Kontributet e çmuara të Shqipërisë si aleate e NATO-s ndihmojnë në mbajtjen e Aleancës të fortë, të përgatitur dhe të vendosur. Shtetet e Bashkuara falënderojnë gjithashtu Shqipërinë për partneritetin dhe mbështetjen e saj gjatë zhvendosjes së afganëve. Ne urojmë Shqipërinë për arritjen e hapjes të negociatave me BE-në në korrik dhe mbetemi të përkushtuar për t’ju mbështetur”, shkruhet në mesazh. /Telegrafi/