LAJMI I FUNDIT:

10 vjet shtet, pak është bërë për ekonominë

10 vjet shtet, pak është bërë për ekonominë

Më 17 shkurt Kosova i mbush 10 vite nga shpallja e Pavarësisë. Gjatë dekadës së parë të shtetësisë kemi përmirësuar infrastrukturën rrugore, por ka ngecur në krijimin e vendeve të reja të punës si dhe përmirësimin e sektorit të arsimit dhe shëndetësisë.

Sipas përfaqësuesve të bizneseve dhe njohësve të sektorit të ekonomisë gjatë këtyre dhjetë viteve është dashur të bëhet më shumë për ekonominë, sidomos për sektorit prodhues.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë për Telegrafi se edhe dhjetë vjet pas Pavarësisë, Kosova ende mbete një shoqëri konsumuese dhe se buxheti i vendit vazhdon të mbushet nga tatimet dhe taksat doganore nga importi.

“Dhjetë vite pas Pavarësisë së Kosovës, ende mbetemi një shoqëri konsumuese, pa një prodhim të fuqishëm, ku buxheti mbushet nga taksat doganore dhe tatimore që vijnë kryesisht nga importi. Kjo është një e keqe për vendin për shkak se edhe pas 18 vite pas luftës nuk kemi mundur ta fuqizojmë ekonominë e vendore”, tha Shahini.

Varësia nga importi, sipas tij, është për shkak të mungesës së përkushtimit nga ana e institucioneve për zhvillimin e sektorit të prodhimit.

“Institucionet shtetërore të Kosovës, qofshin ato qendrore apo lokale, nuk e kanë pasur prioritet zhvillimin e prodhimtarisë vendore, por ajo është realizuar me iniciativa vetanake pa u stimuluar nga shteti, me konkurrencën që vjen nga jashtë, prandaj ende mbetemi të varur nga importi”, tha ai.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë së Kosovës i duhet strategji e zhvillimit.

“Nuk kemi strategji të zhvillimit kombëtar ekonomik dhe në bazë të asaj do të ishim fokusuar se çka është prioritet. Besojmë në përkushtimin e institucioneve shtetërore që duhet ndryshuar, përparuar dhe të rritet prodhimi, ndryshe Kosova do të mbetet pa prodhim dhe pa fuqinë konsumuese për të cilën qytetarët vazhdimisht kërkojnë jetë sociale më të mirë jashtë vendit”, tha Shahini.

Ndërkaq, pronari i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, Shaqir Palushi, ka thënë për Telegrafin se gjatë kësaj periudhe të shtetësisë Kosova ka pasur ndryshime pozitive, por sipas tij, ka pas mundësi të bëhet shumë më tepër.

“Në këto vite Kosova ka ndryshuar pozitivisht dhe për këtë jam dëshmitar, sepse me qenë se ne jemi kompani që kemi partnerë të jashtëm, ata kur vijnë këtu i shohin ndryshimet. Sigurisht që nuk mund të jemi të kënaqur, qoftë ne si biznes, për më tepër nuk mund të jemi të kënaqur me institucionet qendrore, sepse mund të bëhet shumë më tepër, por gjithsesi ka ndryshime pozitive”, tha Palushi për Telegrafi.

Ndryshimet e fundit, sipas tij, janë pozitive, mirëpo janë të ngadalshme.

“Ndryshimet e fundit janë mjaftë pozitive dhe vetëm tani mund të themi se jemi të barabartë me prodhuesit jashtë vendit. Ndryshimet kanë ardhur mjaftë ngadalë dhe të vonuara aq më tepër kur tani është Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, e cila në njëfarë mënyre na ka hapur mundësitë për eksport, por në anën tjetër i ka hap mundësinë që shumë kompani ndërkombëtare të futen në tregun e Kosovës. Do të duhej që këto ndryshime të kishin ndodhur më herët, por ndonëse të vonuara ato janë shumë të mirë se ardhura”, tha biznesmeni Shaqir Palushi.

Sipas tij, përveç shëndetësisë fokusi në të ardhmen duhet të jetë rritja e prodhimit të energjisë elektrike si dhe fokusi te sektori prodhues e sundimi i rendit dhe ligjit.

“Dy pikat më të dobëta të cilat ndoshta janë njolla më e zezë në Kosovë, janë shëndetësia, për të cilën është bërë shumë pak. Ndërsa pika tjetër është fokusimi në prodhim, sepse dihet që vetëm prodhimi e rrit mirëqenien e qytetarit, krijon zhvillim, por mbi të gjitha krijon vende pune. Ne gjatë viteve të ardhshme presim që problemi me energji elektrike të zgjidhet, por edhe infrastruktura ligjore”, tha Palushi.

Profesori i ekonomisë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, në një intervistë për Telegrafi, ka thënë se Kosova ka përmirësuar infrastrukturën rrugore, por ka dështuar që të krijojë vende të punës si dhe të përmirësojë gjendjen në arsim e shëndetësi.

“Kosova ka të arritura, është zhvilluar infrastruktura rrugore deri diku, por e kemi një problem shumë të madh që ka të bëjë me dy çështje. Gjenerimi i vendeve të punës dhe deficiti i madh tregtar, nuk ka ndryshime esenciale në këtë gjë. Relativisht disa suksese janë në infrastrukturë, por politikat ekonomike kanë qenë të pafavorshme për prodhimin vendor, ku kemi pasur investime shumë të shtrenjta me vite. Për këto dhjetë vite të shtetësisë duhet të shohim se ku kemi dështuar. Pra kemi dështuar në shëndetësi, në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe zhvillimin e prodhimit vendor dhe nxitjes së eksportit”, tha Mustafa. /Telegrafi/