LAJMI I FUNDIT:

1 milion euro për ndërtimin e shtëpive në veri dhe pesë milionë për zbutjen e krizës energjetike – të gjitha vendimet që i mori Qeveria

1 milion euro për ndërtimin e shtëpive në veri dhe pesë milionë për zbutjen e krizës energjetike – të gjitha vendimet që i mori Qeveria

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur këtë të mërkurë ka marrë disa vendime, ku ndër të tjera ka ndarë 1 milion euro për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive në katër komunat veriore.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe ndarjen e pesë milionë eurove me qëllim zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike dhe për zbatimin e Masës 1, të planit me Bashkimin Evropian për Pakon e Energjisë.


Po ashtu, është miratuar vendimin për shpërndarjen e kursimeve të ndarjeve buxhetore për vitin 2023 në vlerë prej 71 milionë euro.

Qeveria miraton projektligjin e ri, iu mundëson edhe qytetarëve nga 0-16 vjeç të pajisen me letërnjoftim
Lexo po ashtu Qeveria miraton projektligjin e ri, iu mundëson edhe qytetarëve nga 0-16 vjeç të pajisen me letërnjoftim

Është miratuar edhe Projektligji për Gjendjen Civile. Sipas Zyrës së Kryeministrit, ky ligj ka për qëllim të përcaktojë dhe rregullojë sistemin për regjistrimin dhe evidentimin e akteve dhe përbërësve të gjendjes civile.

“Me këtë projektligj do të avancohet sistemi i gjendjes civile, regjistrimi dhe konstatimi i fakteve juridike, si dhe lëshimi i dokumenteve”.

Është miratuar Projektligji për Letërnjoftimin. Çështja kryesore e trajtuar në këtë Projektligj është plotësimi i zbrazëtirave juridike të Ligjit aktual në fuqi për Letërnjoftimin.

“Me të do të rregullohet procedura për lëshimin e letërnjoftimit, organi kompetent, por edhe kushtet për përdorimin e letërnjoftimit e detyrimet e shtetasve tanë në raport me ligjin”, thuhet në njoftimin për media.

Qeveria tutje ka miratuar Projektligjin për Rininë. Ai përbënë reformën e parë të infrastrukturës ligjore në fushën e rinisë.

“Si i tillë ka për qëllim rregullimin e fushës së rinisë në nivel ndërinstitucional dhe ndër sektorial, duke e vendosur rininë në qendër të prioriteteve shtetërore, me synim avancimin e pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse dhe të barabartë në procesin e vendimmarrjes si dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së të rinjve dhe të statusit të tyre shoqëror”.

Ekzekutivi ka miratuar edhe Projektligjin për Regjistrin e Pronarëve Përfitues, i cili ka për qëllim publikimin e informacionit mbi përfituesit e fundit të një shoqërie tregtare, duke qenë kësisoj mjet i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit e shpëlarjes së parave.

32 muaj qeverisje - Kurti i thur lavde kabinetit të tij qeverisës, përmend disa të arritura
Lexo po ashtu 32 muaj qeverisje - Kurti i thur lavde kabinetit të tij qeverisës, përmend disa të arritura

“Mbi të gjitha, ai do të tregojë saktë se kush përfiton nga paraja publike e ndarë me prokurim publik, dhe kështu do të rritë transparencën e llogaridhënien ndaj qytetarit”.

Është miratuar Projektligji për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, përmes të cilit ndër të tjerash përcaktohen rregullat dhe kushtet sipas të cilave Qeveria ose një Komunë bënë shpronësimin e të drejtave pronësore ose të drejtave tjera në pronën e paluajtshme për realizimin e interesit publik.

Drita e gjelbër nga ekzekutivi i është dhënë edhe Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurimet Sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës.

“Kjo marrëveshje u siguron qytetarëve të të dyja vendeve, njohjen e ndërsjellë të kontributeve të sigurimeve shoqërore për përfitimin e pensioneve. Marrëveshja adreson çështjen e pensioneve të moshës, verifikimin e asistencës sociale, shkëmbimin e informacionit dhe ndihmën e ndërsjellë”.

Është aprovuar Rregullorja për Funksionimin dhe Punën e Qendrës për Strehim, Mbrojtje dhe Rehabilitim të Viktimave të Trafikimit me Qenie Njerëzore në Nivel të Mesëm dhe të Lartë të Rrezikshmërisë, me të cilën rregullohet procedura e tërësishme që nga momenti i pranimit të viktimës, e deri te largimi nga Qendra, sikurse edhe ofrimi i ndihmës mjekësore, juridike dhe psikologjike.

Janë ndarë mjete buxhetore në vlerë prej 47,356.00 Euro për mbështetje financiare të Global Comunity Engagement and Resilience Fund (GCERF), pagesë për zotimin si kontribut i njëhershëm për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm global.

Është miratuar vendimi Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Zgjerimi i Rrugës Nacionale N9 Kijevë- Zahaq, Segmenti Kijevë –Dollc.

Është miratuar edhe vendimi preliminar për shpronësimin për interes publik i pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Mbrojtja dhe Menaxhimi i Trashëgimisë Kulturore, Konservimi dhe Investimi në ‘’Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana”.

“ Miratuar vendimin preliminar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Ndërtimi i Rrugës Prizren-Kufiri me Maqedoninë e Veriut (Tetovë) segmenti Struzhë-Kyçja me Autoudhën ‘Ibrahim Rugova’ në Prizren-Jug”.

“  Aprovuar Koncept-dokumentin në Fushën e Hekurudhave. Përmes këtij Koncept Dokumenti synohet modernizimi i rrjetit hekurudhor dhe integrimi në Rrjetin Trans-Evropian të transportit hekurudhor, rritja e cilësisë së shërbimeve, qasja në to, transport më i sigurt, mjedis më i pastër, dhe rritje e sigurisë sipas standardeve të BE-së. Koncept dokumenti rekomandon plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për hekurudhat e Kosovës dhe hartimi i Ligjit të ri për siguri në hekurudha”.

“Plotësuar dhe ndryshuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit Nr. 02/30 të datës 12 maj 2020, të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Plotësuar dhe ndryshuar vendimi për plotësim-ndryshimin e vendimit Nr. 28/ 99 të datës 30 shtator 2022 dhe vendimit Nr. 10/156 të datës 23 gusht 2023 të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Me këtë rast regjistrimi i popullsisë të shtyhet për fillimin e muajit prill, për të zbatuar parimet e EUROSTAT-it dhe për t’i dhënë rast menaxhmentit të ri të tregoj efikasitet në kryerjen e përgjegjësive”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/