Kështu u tha në debatin e nisur sot në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, rreth Projektligjit për arsim të lartë dhe Projektligjit për profesionet e rregulluara, ku u konkludua se reformat në arsimin e lartë janë procese të rëndësishme në demokratizimin e mbarë shoqërisë.

Nga ky debat i parë rreth reformave në arsimin e lartë në Kosovë janë nxjerrë në parim informatat e para rreth përmbajtjes së projektligjeve, të cilat janë përpunuar nga një grup profesorësh universitarë dhe ekspertë të tjerë të fushës së arsimit. Gjithashtu janë propozuar ndryshimet që duhet të bëhen në projektligjet, e që kanë për qëllim ngritjen e standardeve dhe kritereve për një arsim sa më cilësor.


Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami u shpreh i kënaqur që debati po hapet në Universitetin e Prishtinës dhe tha se ai në javët e ardhshme do të zhvillohet në të gjitha njësitë akademike të këtij institucioni dhe institucioneve tjera të arsimit të lartë në Kosovë, në shoqërinë civile, me mediat dhe akterë të tjerë.

Sipas tij, tri qëllimet kryesore të kësaj reforme janë: krijimi i një baze më të mirë në ndërtimin e standardeve të cilësisë së mësimdhënies, mësimnxënies, politikave publike dhe të menaxhimit të mirë të Universitetit, definimi në mënyrë të plotë i autonomisë së universiteteve dhe krijohet qeverisje akademike në Universitet që do të reflektojë cilësi, shkathtësi në menaxhim të bazuar në kritere ekonomike.

Rektori i UP-së Ramadan Zajnullahu tha se këtij Universiteti i është dhënë hapësirë mjaft e madhe në draftimin e ligjit. 

Ndërkaq, Blerim Rexhaj, profesor i asocuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe pjesëtar i Grupit punues rreth formulimit të draft ligjit, tha se gjatë ditëve punuese të Grupit është propozuar tarifa e studimit të jetë pa pagese si në vendet skandinave, por kjo nuk ka kaluar sepse kur e kanë kthyer në modelin kosovar, ka qenë e domosdoshme një tarifë sado e vogël.

Kurse Arben Mehmeti, kryetar i Parlamentit Studentor të UP-së, parashtroi disa kërkesa të cilat ai pret që të shqyrtohen nga grupi punues.

Në përfundim u bë thirrje që debatit publik, i cili do të vazhdojë deri më 18 qershor, t’i bashkohen bartësit e arsimit të lartë, studentë, profesorë, njerëz nga shoqëria civile dhe media./KP/