LAJMI I FUNDIT:

Zyrtari policor thotë se është i përfshirë në aktakuzë ngase në Polici e kishte detyrë t’i hetojë edhe policët që e thyen ligjin

Zyrtari policor thotë se është i përfshirë në aktakuzë ngase në Polici e kishte detyrë t’i hetojë edhe policët që e thyen ligjin

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten ka dhënë mbrojtjen zyrtari policor, Hasip Kiki, i cili tha se është i përfshirë në aktakuzë për arsye se në polici kishte për detyrë t’i hetojë edhe policët të cilët e kanë thyer ligjin.

Në këtë rast, Kiki dhe dy zyrtarët policorë Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi si dhe 15 të akuzuar tjerë, ngarkohen se duke bashkëvepruar si grup kriminal kishin kontrabanduar mallra nga Maqedonia e Veriut në Kosovë dhe anasjelltas.


Në këtë rast për krim të organizuar, kontrabandim me mallra, dhënie ryshfeti dhe për vepra të tjera penale po akuzohen Imer Azemi, Kadri Kurtishi, Bujar Loku, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Kadri Kamberi, Nazmi Kalisi, Xhemajl Ramushi, Nexhat Gashi, Gani Shabani, Agron Krasniqi, Rrahman, Jonuz dhe Naser Ljamalari si dhe Izair Aliu.

Në seancën e së premtes, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij Berat Tmava, i akuzuari Kiki tha se si pjesëtar i Policisë së Kosovës ka qenë që nga viti 2003.

Ai tha se gjatë periudhës 2003-2004 punoi si zyrtar i administratës në pikën e kalimit kufitar në Han të Elezit, në periudhën kohore 2003-2007 kishte punuar si hetues në Njësinë e Hetuesve në pikën kufitare Hani i Elezit.

Kurse, gjatë periudhës 2017- 2013 tha se kishte punuar si hetues regjional në policinë kufitare, lindje- Kaçanik, po ashtu gjatë kësaj kohe ka pasur edhe një detyrë të caktuar, ku ka qenë zyrtar i mirëmbajtjes së dhomës së dëshmive, në rajonin lindje.

Tutje, i akuzuari shtoi se gjatë periudhës kohore 2013- 2019- ka qenë i suspenduar me pagesë, kurse gjatë viteve 2019-2021 është kthyer në të njëjtën pozitë- hetues regjional në rajonin lindje Kaçanik, ndërsa nga viti 2021 deri më tani me kërkesë të tij, punon si zëvendësshef i ndërrimit në pikëkalimin kufitar në Glloboçicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur se a i njeh të akuzuatit Imer Azemi, Qeim Kurtishi dhe Bujar Loku, ai tha se Azemin dhe Kurtishin i njeh ngase janë nga fshati Bardh afër kufirit si dhe si persona që e kanë kaluar kufirin për çdo ditë, përkatësisht duke frekuentuar hyrje-dalje në Kosovë, ndërsa Lokun e njeh si fqinj të tij, i cili është mik i familjes dhe janë rritur së bashku.

Ndërsa, i pyetur se a kishte biseduar në telefon me ndonjërin nga të akuzuarit, përkatësisht me Bujarin para se të arrestohet lidhur me këtë çështje penale, si dhe nëse kanë komunikuar cila ka qenë biseda që ka zhvilluar me të, i akuzuari Kiki tha se me të ka pasur kontakte personale, familjare dhe përmes telefonit.

Sipas tij, në shumicën e rasteve biseda me të kishte qenë për interes të shërbimit, duke sqaruar se këtë e thotë sepse ka siguruar informata për aktivitete kriminale në rrethinën e Hanit të Elezit, e cila ka qenë terren i tyre i përgjegjësisë.

I akuzuari tha se një gjë të tillë e dëshmojnë edhe dëshmitarët e propozuar nga prokuroria Hasbi Belaj dhe Arijan Hashani, të cilët kanë deklaruar se i akuzuari Bujar Loku ka qenë informator i policisë.

Ai shtoi se falë kontributit Bujarit i kanë zbuluar personat që kanë kaluar ilegal kufirin, ku si rast të veçantë e theksoi një rast të rrëmbimit të një të miture nga një i dyshuar, të cilën ky e kishte arrestuar dhe e ka dorëzuar stacionit të Kaçanikut për procedura mëtutjeshme.

Tutje deklaroi se si pjesëtar i policisë në pozitën e hetuesit regjional ka pasur detyrë hetimin dhe kompletimin e rasteve të veprave penale që kanë ndodhur në zonën e tyre të përgjegjësisë, kompletimin tyre dhe tregimin në prokurori, inicimin e rasteve të reja, arrestimin e personave të dyshuar, intervistimin e të dyshuarve, dëshmitarëve, viktimave, konfiskimin e provave si dhe detyra të tjera.

Më pas, i akuzuari Kiki tha se Imer Azemin dhe Qerim Kurtishin në rastet që flitet, janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve.

“Në rastet NN, praktika e tyre e policisë, ku e kam kryer specializimin për hetime është që fillimisht të fillojnë me deklaratë në cilësi të dëshmitarëve, ku gjatë marrjes së deklaratës nëse zbulohet ndonjë fakt, mundemi në çdo moment në cilësi të të dyshuarit, ku në këtë rast 4 rastet të iniciuara nga vija e gjelbërr nuk është evidentuar asnjë i dyshuar. Rastet kanë qenë fillimisht për  veprën penale kalim të paautorizuar i kalimeve kufitare ose vijës kufitare dhe kontrabandim i mallrave, ku asnjëherë këta persona të lartcekur nuk kanë qenë të akuzuar për kalim ilegal në të dhënat e policisë”, tha ai.

I pyetur rreth autorizimit nga prokurori për të ndërmarrë këto veprime procedurale, ai tha se nga Prokuroria Themelore e Ferizajt kanë poseduar katër kërkesa me shkrim nga 4 prokurorë të ndryshëm për secilin rast veç e veç, për grumbullimin e informatave për zbulimin  e kryerësve të veprave penale.

Tutje, i akuzuari deklaroj se në atë kohë kishte qenë i caktuar në ndërrimin e parë në orar 8:00-16:00, kurse në ndërrimin e dytë 16:00-00:00 ka qenë i caktuar hetuesi Hasbi Belaj, i cili tha se në këtë ndërrim përgjegjës ka qenë Hasib,i ndërsa ai ka qenë vetëm ndihmës i tij, pasi që ka qenë me banim më afër kufirit.

Kurse tha se ka qenë vartës i rreshterit, mbikëqyrësit të hetimeve Enver Muharremi.

I pyetur se pasi që i kishin përfunduar procedurat a kanë ushtruar kallëzim penal kundër të pandehurave të përmendur, i akuzuari tha se jo, pas dëgjimit nuk kanë ushtruar kallëzim penal ndaj të tybe pasi që nuk kanë pasur asnjë element që të lidhen me rastet NN.

I akuzuari tha se me Kadri Kurtishin nuk ishte takuar asnjëherë, me aq sa e mbanë mend ndërsa me Bujar Lokun ishte takuar.

Pas kësaj, tha se arsyeja e takimit me Bujar Lokun ka qenë e rastësishme pasi që në atë ditë ka qenë në detyrë me veturë zyrtare, e cila dëshmohet me fletëudhëzim zyrtar, faturë të derivateve, me regjistrin e hyrje- dalje në servis në Fushë-Kosovë, si dhe me raportin e servisit të veturës po atë ditë.

“Se atë ditë kur e kam vërejtur Bujarin edhe pse kam biseduar me të, kam kërkuar të hapë kombin që të shikoj se çka ka brenda, pasi që edhe shërbim ma jep atë mundësi, pasi e kam kontrolluar e kam vërejtur se ka disa këpucë të ngarkuar 10-12 parë, për të cilat ka pasur faturë që i kishte blerë në Fushë Kosovë”, shtoi i akuzuari Kiki.

I akuzuari u pyet se a ka pranuar ndonjë dhuratë apo ndonjë shërbim nga ndonjëri që janë të përfshirë në këtë çështje penale.

“Asnjë herë nuk kam pranuar asnjë dhuratë apo shpërblim nga të pandehurit të përfshirë në këtë çështje penale”, tha Kiki.

Ndërsa, i pyetur se a e kishte  porositur Bujar Lokun që ti blejë tri libra, i akuzuari deklaroi se në atë kohë ka qenë student në drejtimin Juridik- Kriminalistikë dhe kishte kërkuar që t’i blihen librat nga disa persona, shokë e në veçanti tha se ka kërkuar nga Bujar Loku që t’ia blinte 3 libra Kriminalistikën, Kriminologjinë dhe të Drejtën Penale.

Ato libra tha se kushtuar në vlerë prej 37 euro dhe pasi që i ka pranuar në prani të kolegut Arjan Hashani, i kishte paguar Bujarit 37 euro përfshirë edhe 3 euro për shërbim.

Tutje, i akuzuari tha se e njeh vetëm si emër Zyrja Azemin, pasi që frekuenton kufirin hyrje-dalje në kufi dhe jeton në afërsi dhe se asnjëherë nuk kishte pranuar e as kërkuar asnjë shërbim, ndërsa shtoi se nuk i  kujtohet që i ka paguar kabllovikun në vlerë prej 12 euro.

“Në atë kohë rreth vitit 20212 në Han të Elezit, nuk ka pasur kabllovik, është dashur të marr kabllovik në Shkup, këtë kabllovik e kam pasur dikun 12-13 muaj dhe nuk ke mundur të paguash për një kohë të gjatë më shumë se 1 muaj dhe për çdo muaj, pasi që nuk mund të shkoja në Shkup kam porositur vozitës të autobusëve, taksitë, vozitës të kamionëve duke ua dhënë paratë”, shtoi ai.

I njëjti potencoi se Zyrja Azemin nuk e ka porositur asnjëherë, por në mesin e këtyre porosive ai tha se në 2-3 raste sa i kujtohet e kishte porositur edhe Bujar Lokun, pasi që sipas tij ky i fundit ka punuar si taksi, me ç’rast ka bartur udhëtarë në Shkup.

Më pas, avokati e pyeti se a janë takuar ndonjëherë në Ferizaj para arrestimit me Bujar Lokun, Imer Azemi dhe Tahir Currin.

“Këtë ditë kam qenë në pushim, nuk kam qenë në punë, ku në bazë të përgjimeve e keni duke e thirrur që të vjen si taksi, shërbim në Ferizaj, Bujar Lokun, më ka kërkuar 5 euro, isha duke bërë dekorimin në shtëpi dhe i kam blerë dekorimet, gjatë kthimit prapa kemi darkuar në një qebaptore, ku unë kam paguar pijet dhe ai ushqimin, ndërsa me dy të tjerët nuk jam takuar atë ditë”, u përgjigje ai.

Pas kësaj, ai tha se në Policinë e Kosovës puna e tij është vlerësuar shumë, ku që nga fillimi deri më tani është shpërblyer me 23 mirënjohje dhe letër rekomandime, për gjashtë vite hetuesi më i dalluar, si dhe ka pranuar medalje për 10 vite si polici më i besueshëm, kurse për vitin 2021 ka qenë polici më i dalluar në pikën kufitare Glloboçicë.

I pyetur se lidhur me këtë rast se a ishte marrë në pyetje nga prokurori special i cili ka ngritur edhe aktakuzën, ai tha se është i çuditur se si ka mundësi në këtë çështje penale prokurori i atëhershëm nuk e ka marrë në pyetje asnjëherë për t’u sqaruar lidhur me këtë proces edhe pse ka qenë i bindur se prokurori i PSRK-së do ta ftonte para ngritjes së aktakuzës, ashtu siç parashihet me dispozitat ligjore, që ta jep dëshminë e tij.

Po ashtu, tha se një gjë të tillë i kishte thënë edhe hetuesi tek i cili ka dhënë dëshminë e tij në pika të shkurtra, i cili i kishte thënë detaje të tjera më të hollësishme do të jepte deklaratë para prokurorit.

“Të akuzuari Imer Azemi, dhe Qerim Kurtishi, i cili gjendet në arrati, në këtë rast a e dini si janë njoftuar për tu’ marrë në pyetje?”, e pyeti prokurori special Haki Gecaj.

I akuzuari u përgjigj që në këtë ditë këta persona janë njoftuar në disa mënyra: përmes të afërmit të tyre që të paraqitën në stacion policor duke mos dhënë detaje saktësisht për çka dhe duke njoftuar pikën kufitare që nëse i hasin t’i ndalojnë dhe t’i njoftojnë ata.

Tutje ka shtuar se në rastin konkret ka njoftuar mbikëqyrësin e ndërrimit, rreshterin Bekim Hakiu  që nëse i takon t’i ndalojë dhe t’i njoftojë.

I pyetur se a është e vërtetë që i ka njoftuar përmes Bujar Lokut, ai tha se përmes Ilmi Bardhit, Zyhri Azemit, Bujar Lokut dhe dy personave të tjerë që i kishte takuar gjatë rrugës, emrat e të cilëvë nuk i kujtohen.

I akuzuari Kiki ka pohuar që ka marrë pjesë në intervistimin e Imer Azemit dhe Qerim Kurtishit, dhe tha se pas intervistitmit të tyre ishte takuar ai dhe hetuesi Hasiju me Bujar Lokun, duke arsyetuar se edhe në bazë të përgjimeve që i ka prokuroria, kanë pasur ta vizitojnë mixhën e Bujar Lokut, Selim Lokun tani i ndjerë, i cili ka qenë i sëmurë, por pasi që ishte vonë nuk kanë shkuar atë ditë ta vizitojnë.

Në këtë takim, ai ka thënë se nuk kanë pasur nevojë të bisedojnë për Imer Azemin dhe Qerim Kurtishin, me arsyetimin që veprimet e tyre hetimore ishin kryer.

“Ju thatë se keni vepruar në regjionin e Lindjes në Kaçanik, a keni të drejtë të merrni veprime jashtë këtij regjioni?”, pyeti prokurori.

“Si hetues regjional kam të drejtë të marrë veprime edhe jashtë regjionit kudo që shihet ndonjë aktivitet i dyshuar kriminal, si kontrolle dhe verifikime, për të cilën pozitë kemi qenë të angazhuar 24 orë në ditë, e cila mund të verifikohet edhe nga detyrat e hetuesit regjional”, u përgjigj ai.

Tutje shtoi se në rast se ka elemente të ndonjë aktiviteti apo fakte, atëherë marrin leje për të vazhduar më tutje, duke filluar me leje nga mbikëqyrësi e pastaj më tutje nga prokurori.

Lidhur me atë se a kanë vizituar ndonjë dyqan tjetër me Bujarin në Prishtinë, në atë ditë apo ndonjë ditë tjetër të takimit në treg, tha se atë ditë nuk e ka vizituar dyqanin por ditë të tjera.

Po ashtu tha se me sa i kujtohet e ka pohuar të ketë vizituar një dyqan me Bujarin ku kishte kërkuar të blinte çizme dhe i kishte blerë ato, mirëpo çmimi nuk i kujtohet.

I akuzuari Kiki deklaroi sa i kujtohet nuk ka pasur komunikim me prokurorinë kur janë marrë në pyetje Imer Azemi dhe Qerim Kurtishi, me arsyetimin se kanë pasur kërkesë me shkrim për grumbullim të informatave nga prokuroi i rastit.

Sipas tij, është i përfshirë në këtë aktakuzë pasi që gjatë  punës së tij në polici ka pasur për detyrë që të hetojë edhe policët të cilët e kanë thyer ligjin dhe vepruar në kundërshtim me ligjin, duke theksuar se afërsisht 9 pjesëtarë të policisë i kishte pasur nën hetim, me ç’rast shumica e kishin humbur punën.

Gjithashtu, tha se edhe hetuesit e këtij rasti që kanë qenë të akuzuarit e prokurori, i kishin thënë se edhe hetimi që ka filluar ndaj tij ka qenë në bazë të 12 informatave të policisë anonime kundër tij,  pa emër dhe mbiemër nga kush janë bërë.

Sipas tij ato informata kanë dështuar, por kanë arritur qëllimin dhe ia kanë shkatërruar jetën.

I pyetur lidhur për përgjimet që gjenden në shkresa, përkatësisht qëllimi i komunikimeve në mes Bujar Lokut dhe Ymer Azemit, diskutimet mes tyre rreth takimit që kishin qenë me të, i akuzuari Kiki tha se vlerësimi i tij është se Bujari e ka ditë në çdo veprim se çfarë është duke bërë, andaj i njëjti ka mundur të përfitojë diçka nga ata.

“Se po të kishte qenë përfitimi im nuk do të kisha pasur nevojë të bisedoj me Bujarin për arsye se Imerin e kam parë çdo ditë në kufi dhe kisha shkuar direkt tek Imeri dhe se duhet me kry unë një shërbim për me marrë një dhuratë”,  shtoi ai.

Lidhur me përgjimet, i njëjti tha se nuk kishte kërkuar sqarim nga Bujar Loku, pasi që secili mban përgjegjësi për veprimet e veta, duke shtuar se nga ky rast me Bujarin kanë vetëm një përshëndetje asgjë më shumë.

Pas dhënies së dëshmisë së të akuzuari Hasip Kiki, me kërkesën e mbrojtësve seanca është ndërprerë, ndërsa e radhës u caktua më 8 gusht 2022.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 15 maj 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj zyrtarëve policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi dhe ndaj 15 të akuzuarve tjerë për veprat penale krim i organizuar, kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, shmangie nga tatimi dhe veprën penale kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fillim të vitit 2011, kishin themeluar, organizuar, mbikëqyrur dhe drejtuar veprimtarinë e grupit kriminal, duke e ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizmin e veprimtarive kriminale të grupit, me qëllim të përfitimit të dobisë financiare.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Imer Azemi dhe Kadri Kurtishi, kishin menaxhuar mallin me transport në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi, pastaj e kishin organizuar shitblerjen e mallit, duke e marrë me qira, të cilin e kishin dërguar në kompanitë në Ferizaj dhe Prishtinë.

Ndërkaq, të akuzuarit Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazi në cilësinë e zyrtarëve policorë, thuhet se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare duke iu mundësuar të akuzuarve që të veprojnë lirshëm, nga të cilët kishin marrë edhe ryshfet për këto shërbime.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kiki si polic hetues në Policinë Kufitare- Zona e Lindjes në Kaçanik, kishte mbajtur komunikime të rregullta me të akuzuarin Bujar Loku, dhe më 1 nëntor 2012, gjatë bisedës telefonike më të, në vend që të akuzuarit Imer Azemi dhe Qerim Kurtishi të merren në pyetje në cilësinë e personave të dyshuar për shkak të kontrabandimit të mallit, ai i kishte mashtruar udhëheqësin dhe kolegun e tij, kinse prokurori kujdestar në Ferizaj, kishte urdhëruar që ata të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve dhe pastaj të lirohen.

Ndërkaq, sipas prokurorisë, policët Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi, iu kishin mundësuar të akuzuarve Kadri dhe Qerim Kurtishit si dhe Imer Azemit që të kontrabandojnë mallra nga Maqedonia në Kosovë dhe anasjelltas.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, thuhet se të akuzuarit Imer Azemi, Kadri dhe Qerim Kurtishi prej vitit 2011 e deri në dhjetor 2013, kishin tejkaluar vijën kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe anasjelltas, duke bartur mallra si: veshmbathje dhe duhan, duke shmangur kontrollin doganor, dhe të njëjtat i kishin shitur në firma të ndryshme në Ferizaj, Kaçanik, Han të Elezit dhe Prishtinë.

Prokuroria, zyrtarët policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi i ngarkon me veprat penale të krimit të organizuar, keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit.

Të akuzuarit Imer Azemi dhe Kadri Kurtishi i ngarkon me veprat penale të krimit të organizuar, kontrabandës me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Të akuzuarit Bujar Loku, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Kadri Kamberi, Nazmi Kalisi dhe Xhemajl Ramushi me krim te organizuar, kontrabandë me mallra, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa Bujar Loku edhe për veprën penale dhënie e ryshfetit.

Të akuzuarit Nexhat Gashi, Gani Shabani dhe Agron Krasniqi ngarkohen me veprat penale kontrabandë me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa së bashku me të akuzuarit Rrahman Ljamalari, Januz Ljamalari, Naser Ljamalari dhe Izair Aliu, për shmangie nga tatimi.

Ndërsa, të akuzuarit Kadri Kurtishi dhe Tahir Curri akuzohen edhe me veprën penale “kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”.

Bashkë të akuzuar në këtë rast kishin qenë edhe Isuf Ljamalari, Bahtir dhe Bejtush Gashi, mirëpo ndaj tyre ishte veçuar procedura.

Në trend Lajme

Më shumë
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Drejtësi

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori