Nart Gashi, futbollist i lindur në vitin 2008, edhe zyrtarisht është bërë pjesë e Hajduk Split, një prej klubeve me historinë më të madhe në Kroaci dhe në Ballkan.

Talenti kosovar ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me klubin kroat dhe do të jetë pjesë e akademisë së Hajdukut, duke hedhur një hap të madh në zhvillimin e karrierës së tij.


Narti e ka nisur rrugëtimin e tij në futboll te shkolla e futbollit Vigani, ndërsa më pas ka vazhduar zhvillimin te Arsenali. Së fundmi, ai ishte pjesë e skuadrës së parë të Top Football, duke garuar në Ligën e Dytë.

Kalimi te Hajduk Split përbën një mundësi të madhe për futbollistin e ri, i cili në një moshë të re tashmë do të ketë mundësinë të zhvillohet në një ambient me traditë të madhe në futboll dhe të punojë në një nga akademitë më të njohura të rajonit.

Në zhvillimin e tij kanë dhënë kontribut edhe trajnerët që kanë punuar me të ndër vite, duke nisur nga Abaz Kosumi, Fetah Veliu dhe Hetem Sogojeva.

Merita për realizimin e këtij transferimi i atribuohet gjithashtu edhe Albin Sahatqijës, një nga personat që ka kontribuar në realizimin e kalimit të Nart Gashit te Hajduk Split.

Për 18-vjeçarin kosovar, aventura në Kroaci tashmë ka nisur dhe dy vitet e ardhshme mund të jenë vendimtare për zhvillimin e tij drejt niveleve më të larta të futbollit. /Telegrafi/

telegrafi sport app