LAJMI I FUNDIT:

Zyrtare: Samsung Galaxy S4 prezantohet më 14 mars

Zyrtare: Samsung Galaxy S4 prezantohet më 14 mars

Samsung Galaxy S4 do të prezantohet edhe zyrtarisht në ngjarjen vjetore të kompanisë - Samsung Unpacked e cila mbahet në New York më 14 mars.

Për ta promovuar ngjarjen, Samsung tashmë i ka dërguar ftesat tek pjesëmarrësit dhe në ndërkohë ka postuar fotografinë e mëposhtme në Twitter.

Modeli më i ri i telefonit, Samsung Galaxy S4 do të lansohet në dy versione të ndryshme. Njëri prej versioneve do t’i kushtohet përdoruesve evropian dhe do të vijë me procesorin 8 core Exynos Octa 5, ndërsa tjetri do të dizajnohet për përdoruesit mobil amerikan dhe do të përmbajë procesorin quad core Samsung Exynos 5440.


Karakteristikat tjera të Samsung Galaxy S4 pritet të jenë të njëjta për të dyja kontinentet, duke përfshirë ekranin e ndjeshëm në prekje me 5 inç në teknologjinë AMOLED dhe rezolucionin me 1920 x 1080 piksel.

Samsung Galaxy S4 sipas të gjitha gjasave do të posedojë kamerën e pasme me 13 mega-piksel dhe atë frontale me 2 mega-piksel, 2GB RAM dhe mundësinë e zgjedhjes së hapësirës së telefonit me 16GB, 32GB apo 64GB.

Pritet që S4 të sjell inovacionet më të reja të një telefoni të mençur mobil, të cilat do të përfshijnë funksionet si teknologjinë e përcjelljes me sy, dhe kontrollin e pajisjes pa e prekur ekranin. Njëra ndër funksionet e reja thuhet se do të jetë edhe mundësia e përgjigjes së një telefonate pa e hapur fare telefonin, psh. përdoruesit e afrojnë telefonin në vesh, dhe telefoni hapet për thirrje. / Telegrafi /