Edhe Santosi edhe Barcelona kanë konfirmuar zyrtarisht se kanë arritur marrëveshje për transferimin e Neymar, i cili do të nënshkruajë kontratën me klubin e tij të hënën.

“Barcelona dhe Santosi kanë arritur marrëveshje për Neymar da Silva Santos Junior. Sulmuesi brazilian do të bart fanellën e Barcelonës për pesë sezonet e ardhshme”, shkruan në komunikatën e Barcelonës në faqen zyrtare.


Braziliani thuhet se e ka refuzuar Real Madridin, edhe pse Mbretërit kishin ofruar shtatë milionë euro më shumë për blerjen e tij, si edhe një pagë më të madhe vjetore.

21-vjeçari ka qenë në shënjestër të shumë klubeve evropiane, si Bayern Munich, Chelsea e Paris Saint-Germain, por lufta për nënshkrimin e tij është zhvilluar kryesisht mes dy rivalëve spanjollë, Barcelona dhe Real Madrid, ndërsa Blaugranët duket se kanë dalë fitues në këtë garë. /Telegrafi/

telegrafi sport app