Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur të hënën një mbledhje të përbashkët të Grupit Parlamentar, Kryesisë së Partisë dhe kryetarëve të degëve, me qëllim koordinimin e pjesëmarrjes në Marshin për Liri, që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë.

Sipas PDK-së, në takim është diskutuar për angazhimin organizativ dhe mobilizimin e strukturave të partisë në të gjitha degët, në mënyrë që pjesëmarrja në marsh të jetë sa më e gjerë.


PDK e ka cilësuar Marshin për Liri si një aktivitet me rëndësi të veçantë kombëtare dhe qytetare, duke thënë se ai shpreh respektin për luftën çlirimtare, sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Gjatë mbledhjes është theksuar nevoja që strukturat e partisë të kontribuojnë në informimin dhe organizimin e qytetarëve që dëshirojnë t’i bashkohen marshit.

Partia ka theksuar se pjesëmarrja duhet të ruajë karakterin qytetar, paqësor dhe gjithëpërfshirës të aktivitetit.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, mbështetja për çlirimtarët është edhe mbështetje për historinë e drejtë të luftës së UÇK-së dhe për vlerat mbi të cilat është ndërtuar liria dhe shteti i Kosovës”, thuhet në njoftim.

PDK ka shprehur pritjen që më 16 shtator, sipas saj, drejtësia të triumfojë dhe Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi të shpallen të pafajshëm dhe të kthehen në Kosovë, pranë familjeve dhe qytetarëve./Telegrafi/