LAJMI I FUNDIT:

Zvarritje dyvjeçare të punimeve në rrugën Prizren-Prevallë

Zvarritje dyvjeçare të punimeve në rrugën Prizren-Prevallë

Ndërsa në Prizren janë disa kilometra rrugë në segmentin Prizren-Prevallë, rregullimi i të cilave ka nisur që dy vjet, por ende punimet s`kanë përfunduar.

Banorët e fshatrave të Luginës së Lumbardhit ankohen se gjendja e vështirë e rrugës po ua vështirëson lëvizjen, ndërsa operatori ekonomik thotë se janë në planin dinamik të paraparë të këtij projekti.


Në shumë lokacione të segmentit rrugor Prizren-Prevallë ka mbi dy vjet që po punohet.

Banorët e fshatrave të Luginës së Lumbardhit shprehen të pakënaqur me zvarritjen e punimeve.

“I prishëm kerrat tu shku poshtë e nalt për Prizren, po bllokohet rruga , duhet nji orë më herët me u nis për në terminin e caktum. Këta që punojnë me 5 – 6 veta nuk kryhet rruga , duhet më shumë njerëz”, u shpreh për RTK Zaim Smajli – banorë i Mushnikovës.

“Tri vjet po e shihni vetë qysh është rruga edhe makinat janë prish edhe kërkush nuk vjen qetu, 80% ka humb lëvizja për shkak të rrugës”, tha Senad Bajrami – Banor i fshatit Gonje Sello

“Këtë rrugë e kemi prioritet sepse na lidh me Brezovicën dhe Shtërpcën, lart zhvillohet turizmi, ka shumë problem me rrëshqitjen e gorëve , për atë është e nevojshme që kjo rrugë të rikonstruktohet”, tha Amir Rustemoviq.

Zgjatja e punimeve në këtë rrugë po i pengon shumë edhe bizneset që zhvillojnë aktivitetet e tyre në këtë pjesë.

“Bizneset në Luginën e Lumbardhit apo të Zhupës janë në kolaps. Lirisht mundemi me thënë që punimet janë tejzgjatur edhe bizneset nuk munden me punu si duhet, jemi me një kohë që fillon edhe turizmi , shumë shpejt kanë me ardh edhe mërgimtarët , kërkojmë dhe i bëjmë apel ministrisë që të përshpejtohen punimet”, u shpreh Sedat Bajrami – përfaqësues i fshatit Mushnikovë.

Operatori ekonomik thotë se është duke punuar sipas planit dinamik, ndërsa pajtohet se vështirësitë e qarkullimit të banorëve janë reale.

“Po kanë pak vështirësi, pasi nuk kanë alternativë tjetër, ka pengesa dhe duhet të ndalohen nganjëherë rrugët. Tash jemi nga finalizimi i këtij projekti, mirëpo kemi ende punë, ka qenë terren shumë i vështirë, nuk përcaktohet, këto punime në kemi mendu që kanalin me përfunduar pa thyerje të gurëve, mirëpo shiko, terreni është i vështirë”, thotë Shabani.

Në raste të shembjes së rrugës, udhëtarët duhet të kalojnë shumë kilometra më shumë për të arritur në shtëpi, thonë banorët.

Ndërkohë, nga Ministria e Infrastrukturës nuk janë përgjigjur për kohëzgjatjen dhe mbarëvajtjen e këtyre punimeve.