LAJMI I FUNDIT:

Zoti e ruajt Shqipërinë, nga shqiptarët si Edi Rama

Zoti e ruajt Shqipërinë, nga shqiptarët si Edi Rama
Ramë Lahaj në konferencë për media në Prishtinë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Ti ‘kryeministri im’

Marrë parasysh që jam artist, e nuk kuptoj shumë nga politika jote, ‘të më falësh’ se mund të gaboj, sepse unë gjykoj nga dhimbja, rrjedhimisht mund të sjellë këtë përfundim ndoshta të nxituar për mendjen tënde të ndritur, sepse ti i di të gjitha.


S’ka shumë kohë që si 15-vjeçar kam ecur mbi njerëz të vrarë e të masakruar, kam lënë shtratin e djepin e fëmijërisë për ta gjetur atë krejtësisht të djegur nga miqtë e tu të sotëm. E shoh se ti nuk e kupton këtë, nuk e ke parë as në CNN apo ndoshta edhe nëse e ke parë ishe në gjendje tjetër, e gjithçka të është dukur si film. Për këtë ndoshta nuk bashkëndjen me dhimbjen tonë.

Ti që sot i paske ‘zhveshur trenerkat’ dhe dole në kostum për të respektuar mikun tënd, e vrasësin tim, na ftoje t’i ulemi përballë sikur asgjë të mos kishte ndodhur kurrë. Përveç kësaj më fajëson mua përse nuk darkoj e bëj pazare me të; ti që përveç injorancës dhe ofendimit për secilin që mendon ndryshe nga ti, nuk di tjetër! Ti, edhe po deshe, s’të lejojmë që me thundrën tënde të pistë të shkelesh mbi gjakun e fëmijëve dhe dëshmorëve tanë që Kosovën e kanë larë me gjak, në çdo pëllëmbë të saj. Jo ty!

Rri andej kufirit dhe traut që na gjobite, edhe atëkohë kur të sollëm bukën e gojës, sepse ti as shqiptar s’je. S’je asgjë tjetër pos një psikopat që injoron dhimbjen e çdo nëne kosovare që sot prehrin e ka bosh mu shkaku i miqve tuaj.

Andaj, duhet ta dish që me Serbinë ulemi kur ajo të kërkojë falje për fëmijët e pleqtë e masakruar, për të zhdukurit tanë që sot as varrë për të vajtur për ta nuk kemi, për përdhunimet e motrave e nënave tona. Vetëm atëherë ulemi dhe prapë jo me ndërmjetësimin tënd për mini-Schengen por me prani e ShBA-së për një Euro-Schengen.

Zoti e ruajt Shqipërinë, nga shqiptarët si ti!