LAJMI I FUNDIT:

Zjarrfikësit të enjten protestojnë

Zjarrfikësit të enjten protestojnë

Zotimet e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj se zjarrfikësit së shpejti do shndërrohen forcë në vete, nuk i kanë bindur zjarrfikësit që të zmbrapsën nga protesta e paralajmëruar për ditën e enjte.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, ka konfrimuar për KosovaPres mbajtjen e protestës për nesër duke filluar nga ora 11:00 para Qeverisë së Kosovës.


Si kërkesa kyçe drejt institucioneve shtetërore të këtij shërbimi emergjent janë nivelimi i koeficienteve në nivel komunash, nivelimi i rrezikshmërisë së punës me Policinë e Kosovës, të kompensohen ndërrimet e natës, festat shtetërore, fetare dhe orët jashtë orarit, të përmirësohen kushtet e punës, të sigurohen pajisje dhe mjete për punë.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, u shpreh se deklaratën e kryeministrit e kanë dëgjuar me vëmendje, por mbesin prapa vendimit për protestë, pasi që kërkesat e tyre kyçe po vazhdojnë të neglizhohen në vazhdimësi.

“Po, sepse ne absolutisht nuk po shohim diçka progresive në këtë drejtim, absolutisht ne e pamë deklaratën e kryeministrit dje thotë do ketë investime milionëshe, nuk e di në cilin buxhet janë adresuar këto mjete,ku janë. Buxheti për zjarrfikës ka mbetur pezull, komunat nuk kanë planifikuar se thotë jeni staf i ministrisë, edhe Ministria e Punëve të Brendshme në pasqyra buxhetore që unë i kam parë asnjë cent nuk është paraparë për zjarrfikësit. Prej 2008 janë të artikuluara këto kërkesa dhe asnjë hap para le të na e shpjegojnë se si për 10 vite asnjë përmirësim, hap para nuk vërehet, kjo është e papranueshme”, tha Beka.

Ndonëse nga Ministria e Financave, ka marr premtimin se koeficienti i pagës për zjarrfikësve do të ngritët në 6, kryesindikalisti nuk është i kënaqur pasi thotë se me hyrje në fuqi të Ligjit të Pagave ata kthehen përsëri në gjendjen e njëjtë.

Beka tutje u shpreh se si shërbyes jetik për interesin e qytetarëve ndihen të anashkaluar nga institucionet e vendit.

“Të anashkaluar, të injoruar, të denigruar në të gjitha aspektet, asnjë hap pozitiv nuk ka ndodhur, përveç koeficientit dhe atë e llogarisim se është obligim, kjo është vetëm një ndërprerje e shkeljes së vazhdueshme që na u ka bërë qe sa vite..një pjesë e vogël përfitojnë pjesa dërrmuese e kanë pasur koeficientin 5.5 dhe atyre u bëhet 6 në vlerë. Por kjo është vetëm derisa të hyjë ligji i pagave në fuqi, tash a do hyjë nga janari apo jo…por në momentin që hynë ligji i pagave në fuqi ne prapë diskriminohemi se koeficienti më i ulët, prapë është i paraparë për zjarrfikësit edhe kjo është një shqetësim”, ka shtuar ai.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Zjarrfikësve është koha e fundit që institucionet përkatëse të reflektojnë për përmirësimin e gjendjes së këtyre shërbyesve.

Beka ka deklaruar se do intervenojnë vetëm në rastet kur është në pyetje jeta e njeriut,e jo në rastet tjera sado që janë emergjente, pasi që zjarrfikësit kanë mungesë infrastrukturore, dhe kështu mund të rrezikohet edhe jeta e tyre.

“Ne kemi pasur qëndrimit që jo t’i bojkotojmë, por vetëm në rastet kur është shpëtimi i jetës së njeriut të intervenohet, në rastet tjera jo sepse më e vlefshme është jeta e një zjarrfikësi se një e mirë materiale e kujt do që të jetë. Zjarrfikësit janë pa pajisje personale mbrojtëse, me kushte shumë të rënda të gjithë e dinë dhe është e drejtë e punëmarrësit të refuzoj urdhrin e punëdhënësit nëse e rrezikon shëndetin apo jetën gjatë aktiviteteve të punës. Në vazhdimësi derisa të arrihet një marrëveshje, zjarrfikësit më nuk do e tolerojnë këtë gjendje, ku është diskriminimin total”, ka deklaruar tutje kryesindikalisti.

E kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ditë më parë në një intervistë dhënë për KosovaPress ka deklaruar se zjarrfikësit do të bëhen forcë në vete, duke u avancuar në kompetenca dhe se 600 mijë euro do të ndahen vetëm për pajisje të zjarrfikësve nga buxhetit i vitit që po vjen.

Ndryshe, zjarrfikësit me qëllim që kërkesat e tyre të plotësohen patën protestuar edhe më 12 korrik të këtij viti, dhe se me vendim të kryeministrit Ramush Haradinaj ishte themeluar një komision qeveritar që do merrej me përmirësimin e gjendjes së këtyre punëtorëve. /KP /Telegrafi/