LAJMI I FUNDIT:

Zjarrfikësit të enjten në protestë për kushtet e punës

Zjarrfikësit të enjten në protestë për kushtet e punës

Zjarrfikësit të cilët janë të pakënaqur me kushtet dhe pozitën e tyre, kanë vendosur që të protestojnë të enjten para Qeverisë së Kosovës.

Kështu ka paralajmëruar kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, në një konferencë për media.


E arsye për këtë, sipas tij, është mungesa e kushteve të punës, si dhe problemet e shumta me të cilat ata përballen si në aspektin e të drejtave të punëtoreve, po ashtu dhe në mos implementimin e ligjeve në fuqi.

Ai tha se kanë pasur shumë premtime nga institucionet e vendit, por se ato kanë mbetur vetëm në letër dhe se gjendja në këtë shërbim, vetëm sa është përkeqësuar dhe se nuk është bërë asnjë hap para.

“Ne e kemi treguar veten, kemi pasur sfida të ndryshme gjatë kësaj periudhe. Mirëpo, institucionet nuk kenë të gatshme, nuk na kuptuan. Na injoruan, na përbuzën dhe është një moment që zjarrfikësit janë shumë të zhgënjyer, të revoltuar dhe se kjo situatë nuk mund të vazhdoj në pafundësi. Kërkesat e zjarrfikësve janë që të reagojmë të aplikojmë masat sindikale. Kemi vendor pikërisht këtë konferencë për shtyp e kemi thirr të bëjmë publike për protestën, të cilën do ta organizojmë me 12 korrik në ora 10:00 para ndërtesës së Qeverisë. Kërkesat janë të njohura edhe për media dhe institucionet. Të gjithë i dinë kërkesat. Të gjithë e dinë pozitën dhe të gjithë në fakt apriori e pranojnë që kjo gjendje duhet të ndryshoj. Dhe vet ministri i Financave publikisht në media e pranon se ka mjete dhe pranon se kjo situatë është krijuar, bile thotë është krijuar problematike se nuk është problem. Por mos harmonizimi, mos koordinimi i MPB, MF, Ministrisë së Administratës, pushtetit lokal po them kryetarëve të komunave kjo gjendje ka mbet kështu gjithherë në dëm, gjithherë në kurriz të zjarrfikësve”, tha Beka.

Beka thotë se ata kanë shpresuar se me rishikimin e buxhetit, do të bëhet zgjidhje për ta, por tani thuhet se s’do të ketë fare rishikim. Ndërsa pohon se kështu më nuk mund të funksionojnë, pasi që institucionet të cilat po neglizhojnë çështjen e tyre, po arrijnë që të gjejnë mënyra për t’i realizuar benefitet për vete.

“Kështu nuk mund të funksionojë. Ne jemi duke rrezikuar shëndetin dhe jemi të gatshëm dhe jetën për interesa të qytetarëve. Jo për neglizhencë të institucioneve. Jo se ata për vete të gjitha benefitet po gjejnë mënyra, për t’i realizuar. Të gjitha”, tha ai. /KP /Telegrafi/