LAJMI I FUNDIT:

Zhvlerësimi i euros në Shqipëri, banka qëndrore dhe FMN: Tregu ka funksionuar normalisht, nuk ka spekulime

Zhvlerësimi i euros në Shqipëri, banka qëndrore dhe FMN: Tregu ka funksionuar normalisht, nuk ka spekulime

Tregu i këmbimit valutor funksionon normalisht. Në analizën e bankës së Shqipërisë, forcimi i lekut është ndikuar nga zhvillimi i tregtisë dhe investimeve, dhe jo nga deformime apo spekulime në treg.

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar është në Shqipëri për të parë ecurinë e ekonomisë tonë. Në takimin përmbyllës, drejtuesit e FMN kanë diskutuar edhe luhatjen e kursit të euros dhe valutave të tjera brenda vendit. Guvernatori Gent Sejko, ka deklaruar se tregu i këmbimit valutor këtu është i lirë, dhe Banka Qendrore nuk fikson një nivel të caktuar, megjithatë i kushton një vëmendje të veçantë ecurisë së tij.


Duke iu përgjigjur shqetësimit të përgjithshëm për zhvlerësimin e euros, guvernatori shtoi se tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative, çka sugjeron se forcimi i kursit të këmbimit të lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar.

Shefja e Misionit të FMN-së, Anke Weber konstatoi se trendi forcues i kursit të këmbimit është në linjë me rritjen e eksporteve dhe përmirësimet strukturore në balancat e jashtme të ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst, ajo nënvizoi dobinë dhe përfitimet që ka ekonomia shqiptare nga regjimi i lirë i kursit të këmbimit. /Telegrafi/