LAJMI I FUNDIT:

Zhduku foton ikonë të Tienanmenit, Microsoft kritikohet ashpër

Zhduku foton ikonë të Tienanmenit, Microsoft kritikohet ashpër

Një njeri i cili qëndronte i vetëm përballë përballë tankeve gjatë protestave pro-demokracisë në Sheshin Tiananmen të Pekinit në 1989-tën; një protestues që sfidoi me trupin e tij përbindëshat e hekurt të diktaturës; fotoja e njeriut të tankut, siç e kanë quajtur ndryshe u kthye në simbolin e asaj revolte ku u vranë qindra, e ndoshta edhe mijëra vetë, e njëkohësisht edhe në një imazh mjaft shqetësues për regjimin në Kinë.

Por personat që e kërkuan së fundi këtë foto në motorin e kërkimit në internet të Microsoftit, Bing u befasuan kur panë që ajo ishte zhdukur dhe nuk i shfaqej. Kërkimi për njeriun e tankut nuk prodhonte asnjë rezultat, e kjo ngjalli akuza për një censurë të mundshme pikërisht në përvjetorin e 32-të të protestës.


Kina i censuron fort diskutimet online mbi shtypjen e dhunshme të demonstratave në sheshin Tienanmen. Megjithatë Microsofti pretendon se bëhet fjalë thjesht për një gabim njerëzor nga ana e tij. “ Është diçka aksidentale, po punojmë shumë që ta rregullojmë”, thuhet në një deklaratë të tij. Rivali Google sakaq nxjerr plot rezultate për foton e famshme.

Microsoft Bing është një prej motorëve të paktë të huaj të kërkimit të lejuar në Kinë, ku autoritetet përdorin programe mbrojtëse që bllokojnë shumë platforma teknologjike amerikane, përfshirë Facebook dhe Twitter. /tch/