LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet, numri i kandidatëve që kanë probleme me ligjin ka shënuar rritje në vazhdimësi

Zgjedhjet, numri i kandidatëve që kanë probleme me ligjin ka shënuar rritje në vazhdimësi

Partitë politike duhet të kenë në listat e tyre të kandidatë njerëz që nuk kanë asnjë problem me ligjin, dhe qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin vetëm në mes të atyre që janë kandidat me integritet.

Kështu u tha në tryezën me temën “Çfarë kandidatë ofrojnë partitë politike në zgjedhjet e vitit 2019”, organizuar sot nga Fondacioni Uestminster për Demokraci në Kosovë dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi.


Fitim Mulolli, drejtues i Fondacionit Uestminster për Demokraci në Kosovë, u bëri thirrje partive politike që mos të përfshijnë në lista zgjedhore njerëz me aktakuza. E Betim Musliu nga IKD tha se trendi i kandidatëve që kanë pasur probleme me ligjin është rritur vitet e fundit.

“Trendi i këtyre kandidatëve të cilët kanë pasur probleme me ligjin në zgjedhjet e vitit 2010 ka degraduar dhe është rritur në vazhdimësi si në zgjedhjet e vitit 2014 po ashtu në ato të fundit të vitit 2017, ku një numër bukur i madh i tyre ka arritur të jetë pjesë e listave të partive politike dhe të njëjtit janë votuar nga qytetarët dhe janë zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës. Degradimi ka vazhduar në pushtetin ekzekutiv ku përzgjedhja e ministrave e zëvendësministrave është bërë edhe prej njerëzve që kanë pasur aktakuza e dënime”, tha Musliu.

Ai tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë, nuk i përgjigjet ende nevojave të qytetarëve për ta bërë gjykimin në bazë të provave dhe dënimeve, e jo agjendave të caktuara. /kp/Telegrafi/