LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet e parakohshme, gjithnjë e më afër – më së shumti “i ngutet” PDK-së!

Zgjedhjet e parakohshme, gjithnjë e më afër – më së shumti “i ngutet” PDK-së!

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, sipas analistëve kosovarë, po duket të jetë çdo ditë e më afër.

Sipas tyre, fushata e filluar nga liderët e partive politike, është tregues i qartë se zgjedhjet janë shumë afër.


Analisti Imer Mushkolaj, ka theksuar se koalicioni qeverisës do të provojë që t’i kalojë demarkacionin dhe Asociacionin, para se të shkohet në zgjedhje.

Ai ka thënë për Telegrafin se fushata e liderëve të partive kryesore po vazhdon, dhe kjo është shenjë e qartë sipas tij, se zgjedhjet janë afër.

“Mbajtja sa më e shpejtë e zgjedhjeve i konvenon sidomos PDK-së, në mënyrë që të provojë ta kapitalizojë edhe njëherë mbështetjen që e ka në elektorat. Zgjedhjet e parakohshme janë të nevojshme edhe po që se kalojnë demarkacioni e Asociacioni, ngase qeverisja aktuale nuk po ia del të përmbush agjendën ekzekutive dhe vazhdimi i një qeverisjeje të tillë vetëm sa do të dëmtojë edhe më shumë vendin dhe qytetarët”, ka shtuar Mushkolaj.

E analisti Arben Ahmeti, ka thënë se demarkacioni ose Asociacioni mund të përdoren si shkas për të shkuar në zgjedhje, por këto nuk janë arsyeja.

Sipas tij, Qeveria aktuale e ka numrin e mjaftueshëm të deputetëve për ta kaluar si njërën ashtu edhe tjetrën çështje.

“Në një rast kur PDK-ja do ta donte këtë qeveri aq sa LDK-ja, atëherë këto të dyja do të kalonin pa ndonjë problem. Por, e vërteta është se PDK nuk e do këtë qeveri. Është qeveria në të cilën PDK-ja ka përfunduar nga zori të cilin ia kishte krijuar koalicioni VLAN. Prej fillimit është ditur se PDK-ja, do të përdorte këtë qeveri përkohësisht, për të zgjedhur Thaçin president”, ka shtuar Ahmeti.

Sipas tij, “ky transformim tashmë ka ndodhur, dhe PDK nuk ka kurrfarë arsye të qëndrojë në këtë qeveri”.

“Me një LDK të dërrmuar dhe me një VV-ja që asnjëherë nuk bëhet gjithëpërfshirëse, dhe nuk lejon t`i ndodhin debate brenda, PDK shkon në zgjedhje e bindur se do të rikonfirmohet në vend të parë dhe kësisoj do të marrë kryeministrin”.

Sipas tij, humbësi me i madh do të ishte LDK-ja, duke shtuar se “fitues ndoshta do të ishte VV, nëse e konsiderojnë fitoren daljen si partia e dytë”.

“Fitues do të ishte PDK që do të marrë kryeministrinë derisa e ka presidencën. Për ironi, një përpjekje si VLAN që kishte për qëllim ta largonte PDK-në, nga të gjitha institucionet po na krijon një situatë kur presidenti dhe kryeministri janë nga PDK. Ky është lajm i keq për Kosovën, por mësim i mirë për opozitën shkurtpamëse”, ka shtuar Ahmeti.

Ai ka thënë se një arsye tjetër pse ai pret të ketë zgjedhje shpejt, ka të bëjë sipas tij, me një nevojë të PDK-së.

“Kjo parti e ka të rëndësishme që procesi i transformimit të lidershipit të ndodh para se Gjykata Speciale të ngre aktakuzat e para”, ka shtuar Ahmeti. /Telegrafi/