LAJMI I FUNDIT:

Zeqirja Qazimi: Nëse xhihadi është terrorizëm unë jam një terrorist i vërtetë

Zeqirja Qazimi: Nëse xhihadi është terrorizëm unë jam një terrorist i vërtetë

Zeqirja Qazimi, imami i akuzuar për rekrutim në terrorizëm gjykimin e tij e krahasoi me padrejtësitë që iu bënë njërit nga të dërguarit e Zotit.

“Jam i nderuar të gjykohem për çështje fetare pastaj duke pasë model pejgamberin Isuf të mbrohen nga ajo që padrejtësisht akuzohem. Dua të vërtetoj atë që kam bindje dhe atë qe kam punuar dhe ta mohoj atë që më ngarkohet pa të drejtë,” tha Qazimi në fjalën e tij përfundimtare.


Zeqirja Qazimi, imami i xhamisë “El-Kudus” në Gjilan, akuzohet për rekrutim në terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes, ndërsa prokurori Elez Blakaj në fjalën e tij përfundimtare të dhënë po sot, tha se Qazimi kishte sukses në lidhje em këtë rekrutim.

Qazimi më tutje tha se xhihadi nuk është terrorizëm.

“Në aktakuzë thuhet se unë kam fol për rëndësinë e xhihadit dhe rëndësinë e shehidit dhe kjo është e vërtetë, por në fund të akuzës xhihadi llogaritet terrorizëm dhe kjo nuk është e vërtetë, pasi rregullat e xhihadit rreptësisht e ndalojnë terrorizmin e padrejte madje edhe shkatërrimin e bimëve, e të mos flasim për njerëz të pafajshëm-gra e fëmijë,” tha më tutje imami Qazimi.

Ai tha se në Kuran ndodhen më shumë se 100 vargje për vlerat e xhihadit dhe shehidit.

“Pra xhihadi është diçka dhe terrorizmi është diçka tjetër dhe nëse xhihadi është terrorizëm, atëherë mund të themi se unë jam një terrorist i vërtetë,” tha Qazimi.

Në gjykimin e Qazimit dhe 6 personave tjerë në gjykatë më 28 prill dëshmoi njohësi i islamit Ilmi Rexhepi.

“Fjala xhihad në gjuhën arabe në kuptimin etimologjik do të thotë përpjekje, mund, angazhim, kurse në një nga përkufizimet terminologjike islame nënkupton përpjekjen, angazhimin, mundin që bën dikush nga myslimanët në të gjitha format e mundshme, duke përfshirë arsimimin, edukimin, luftën legjitime dhe format tjera të kontributit që mund të japë njeriu,” tha atëherë eksperti./kallxo.com/