LAJMI I FUNDIT:

Zelenskyt iu referua si diktator, por çfarë tha Trumpi kur u pyet nëse mendonte se edhe Putini ishte i tillë?

Zelenskyt iu referua si diktator, por çfarë tha Trumpi kur u pyet nëse mendonte se edhe Putini ishte i tillë?

Pas sulmit ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe etiketimit të tij si “diktator”, presidenti amerikan, Donald Trump, iu shmang pyetjes nëse mendonte ashtu edhe për homologun e tij rus, Vladimir Putin.

“A mendoni se presidenti Putin është gjithashtu një diktator?”, u pyet Trump nga një gazetar.

“Unë mendoj se presidenti putin dhe presidenti Zelensky do të duhet të punojnë së bashku, sepse e dini çfarë? Ne duam të ndalojmë vrasjen e miliona njerëzve”, u përgjigj Trump, duke shmangur pyetjen.


Bëhet e ditur se Trump ka qenë thellësisht kritik ndaj Zelenskyt ditët e fundit, duke pretenduar se presidenti ukrainas ka vetëm 4% mbështetje në sondazhet e opinionit.

“Kam pasur bisedime shumë të mira me Putinin dhe nuk kam pasur bisedime aq të mira me Ukrainën”, deklaroi presidenti amerikan.

Ndryshe, sulmet ndaj liderit të Ukrainës nga republikani shënojnë një kthesë të mprehtë në qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj konfliktit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Presidenti Joe Biden mbështeti vetëmbrojtjen e Ukrainës dhe punoi me liderë të tjerë perëndimorë për të izoluar Putinin.

Trump e quajti diktator, vjen reagimi i Zelenskyt
Lexo po ashtu Trump e quajti diktator, vjen reagimi i Zelenskyt

Ndërkohë, Trump e ka shtyrë Zelenskyn të negociojë një marrëveshje paqeje me kushte që disa vëzhgues i shohin si shumë të favorshme për Rusinë.

Raportohet se SHBA-ja mbajti bisedime për armëpushim me liderët rusë këtë javë, ku nuk përfshiheshin zyrtarë ukrainas.

Dhe kjo qasje e Trumpit ndaj konfliktit ka alarmuar aleatët e SHBA-së në Evropë, shumë prej të cilëve e shohin agresionin rus si një kërcënim për sigurinë e tyre.

Trump dhe Zelensky shkëmbyen fjalë të tjera gjatë javës.

Presidenti amerikan tha se liderët ukrainas “nuk duhet ta kishin filluar kurrë” luftën, pavarësisht se lufta filloi me agresionin rus në 2022.

Zelensky iu përgjigj duke deklaruar se “do të donte të dëgjonte më shumë të vërteta nga ekipi i Trumpit”, duke shtuar se “presidenti amerikan po jeton në një rrjet dezinformimi”.

Më pas, Trump e quajti Zelenskyn diktator.

Por, lideri ukrainas u zgjodh në mënyrë demokratike në vitin 2019. Ai anuloi zgjedhjet e planifikuara për pranverën e vitit 2024, duke thënë se ato nuk mund të mbaheshin në mes të një lufte. /Telegrafi/