Zelensky për planin e rishikuar të paqes - bisedimet po zhvillohen në tri rrafshe

Ukraina, së bashku me partnerët e saj, po punon në tre dokumente kyçe që përbëjnë bazën e përpjekjeve aktuale diplomatike për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, tha Volodymyr Zelensky.
Plani përfshin një marrëveshje të përgjithshme paqeje, garanci sigurie dhe rindërtimin e vendit, shkruan Kyiv Independent.
Zelensky u shpjegoi gazetarëve se plani kryesor kuadër tani përfshin 20 pika, pasi negociatorët kanë hequr disa elemente nga drafti fillestar i SHBA-së dhe Rusisë, i cili kishte 28 pika.
Presidenti ukrainas e përshkroi versionin e rishikuar si “një kuadër që vazhdon të zhvillohet” dhe që duhet të pasqyrojë “interesat e Ukrainës, Evropës dhe botës”.
Dokumenti i dytë fokusohet në garancitë e sigurisë që Kievi po përgatit me Uashingtonin dhe partnerët evropianë. “Po pres propozimet e ushtrisë sonë dhe nga dialogu i tyre me amerikanët”, shtoi Zelensky, duke theksuar se garancitë janë thelbësore për çdo diskutim të mëtejshëm.
Ai pranoi se SHBA “ende nuk është gati ta shohë Ukrainën në NATO”, duke e quajtur këtë “informacion të hapur”. Ai theksoi se prioriteti i Kievit është ndërtimi i garancive efektive nga Koalicioni Evropian i të gatshmëve dhe, mbi të gjitha, nga SHBA-të.
“Shumë e rëndësishme janë garancitë dypalëshe të sigurisë mes Ukrainës dhe SHBA-së”, tha lideri ukrainas dhe shtoi se “ato janë përcaktuar në planin me 20 pika. Është si neni 5 i NATO-s”.
Dokumenti i tretë merret me rindërtimin e Ukrainës, të cilin Zelensky e përshkroi si kyç për planifikimin e së ardhmes së vendit, edhe pse lufta ende vazhdon.
Deklarata e presidentit ukrainas erdhi pas raportit të ekipit negociator të Ukrainës mbi konsultimet e mbajtura në Londër me këshilltarët për siguri kombëtare të BE-së. Kievi dhe disa partnerë evropianë përfunduan sot rishikimet e tyre të propozimit të paqes me synimin për të paraqitur një qasje të përbashkët, ndërsa SHBA po shtyn për përparim më të shpejtë.
Këto përpjekje vijnë pasi udhëheqësit evropianë kanë shprehur zemërimin për përjashtimin nga kontaktet e drejtpërdrejta SHBA–Rusi që prodhuan draftin fillestar me 28 pika.
Pavarësisht intensifikimit të bisedimeve, zyrtarët e Kremlinit thonë se Rusia nuk po heq dorë nga kërkesat e saj kyçe, përfshirë tërheqjen e detyruar të forcave ukrainase nga zonat e paokupuara të rajonit Donetsk. Çështjet territoriale, përfshirë statusin e Donbasit, mbeten pengesat kryesore në negociata, konfirmoi Zelensky. /Telegrafi/











































