Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ndaj thirrjeve të presidentit amerikan, Donald Trump për të zhvilluar zgjedhjet presidenciale në Ukrainë.

Në një intervistë për revistën politico, lideri amerikan kritikoi qeverinë ukrainase, duke thënë se ajo po “përdor luftën për të shmangur zgjedhjet” dhe theksoi se ishte “e rëndësishme” që vendi të shkonte në votime.


Duke folur për mediat italiane gjatë një takimi në Romë me kryeministren Giorgia Meloni, Zelensky deklaroi qartë se “gjithmonë jam gati për zgjedhje”, raporton skynews.

Ndryshe, qeveria ukrainase nuk ka zhvilluar zgjedhje kombëtare që nga fillimi i luftës me Rusinë më 24 shkurt 2022, pasi ligji ushtarak ndalon mbajtjen e zgjedhjeve gjatë gjendjes së luftës.

Zgjedhjet e fundit presidenciale u zhvilluan më 31 mars dhe 21 prill 2019, ndërsa zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 21 korrik 2019.

Normalisht, në ciklin e rregullt, zgjedhjet parlamentare do të ishin zhvilluar në tetor 2023 dhe presidencialet në pranverë 2024, por ato janë shtyrë për shkak të konfliktit të vazhdueshëm. /Telegrafi/