LAJMI I FUNDIT:

Zbulohet shuma sa ka paguar Ballkani për transferimin e Nazmi Gripshit nga Skënderbeu

Zbulohet shuma sa ka paguar Ballkani për transferimin e Nazmi Gripshit nga Skënderbeu

Skënderbeu bën shitjen e dytë radhazi në Kosovë. Pas qendërmbrojtësit Bajram Jashanica, këtë herë është mesfushori Nazmi Gripshi që i bashkohet Ballkanit të Suharekës.

Dje në orën 15:20, “Panorama Sport” zbuloi ekskluzivisht përmes faqes zyrtare në internet “panoramasport.al”, se klubi korçar kishte arritur marrëveshjen me Ballkanin për transferimin e Gripshit, i cili në këtë periudhë ka pasur shumë oferta.


Mirëpo, lojtari ishte nën kontratë me Skënderbeun deri në qershor të vitit 2021 dhe presidenti Ardjan Takaj, pasi shqyrtoi të gjitha ofertat, vendosi të pranonte propozimin e kosovarëve. “Po, Gripshi do të kalojë te Ballkani. Kemi arritur marrëveshjen”, deklaroi kreu i klubit bardhekuq për gazetën, ndërsa nuk pranoi të jepte më tepër detaje. Gjithsesi, burime në klub tregojnë se nga ky transferim Skënderbeu do të përfitojë një shumë prej 60 mijë eurosh.

Kujtojmë që për Jashanicën akordi ishte për 40 mijë euro. Ndërkohë, në Kosovë e lidhin bashkëpunimin e Skënderbeut me Ballkanin edhe si një afrim të mundshëm të drejtorit sportiv, Haris Fakiç. Mirëpo, i pyetur për një largim të këtij të fundit, dje Takaj mohoi gjithçka. Çdo gjë do të shikohet në ditët në vijim.

Pas vetëm tri orësh nga publikimi i lajmit në “panoramasport.al”, ishte vetë klubi i Ballkanit që prezantoi lojtarin. “Pas negociatave të gjata me KF Skënderbeu, arritëm marrëveshjen për pronësinë e kartonit të futbollistit Nazmi Gripshi. Me këtë marrëveshje Gripshi do të jetë lojtar i Ballkanit për dy vite të ardhshme, me mundësi vazhdimi”, citohej në njoftimin e klubit kosovar.

Ndërsa vetë Gripshi u shpreh: “Jam i lumtur që u bëra pjesë e FC Ballkanit. Falënderoj presidentin Takaj për besimin e dhënë. Tani shfletojmë një faqe të re, ku falënderoj z.Arsim Kabashi për vlerësimin dhe dëshirën e tij që të bëhem pjesë e Ballkanit”.