Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka publikuar çmimet e derivative për 24 orët e ardhshme.

Siç njofton MINT, çmimi maksimal i lejuar për naftë është 1.85 euro për litër, përcjell Telegrafi.com

Kurse, çmimi maksimal i lejuar për benzinë është 1.74 euro për litër dhe ai për gaz është 0.78 euro.

“Çmimet e lartëcekura vlejnë për datën 27.06.2022 prej orës 10:00 dhe janë valide 24 orë nga data dhe ora e publikimit. Vendimi është marrë bazuar në nenin 5 të Udhëzimit Administrativ 03/2022 për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë respektivisht Departamenti për Rregullimin e Tregut të Naftës”, njofton MINT.

Qeveria e Kosovës kishte miratuar një Udhëzim Administrativ me të cilin do të përcaktohet çmimi maksimal i lejuar për derivatet. Sipas ministres Rozeta Hajdari ky vendim pritet t’i mbrojë konsumatorët e konkurrencën dhe do të mënjanojë çrregullimet e çmimeve në treg.

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës i kishte dërguar letër Qeverisë së Kosovës me anë të së cilës kërkojnë që marzha të caktohet duke u bazuar në nivelet e çmimeve aktuale. Pra, shitja me shumicë 3 për qind dhe ajo me pakicë 12 për qind.

Sipas tyre, nëse këto kërkesa nuk merren parasysh nga ana e Qeverisë, atëherë janë të detyruar të ndërmarrin masa, përfshirë edhe mbylljen e pikave të derivateve në tërë vendin. /Telegrafi/