LAJMI I FUNDIT:

Zbardhet agjenda e vizitës së komisionerit Hahn në Shqipëri

Zbardhet agjenda e vizitës së komisionerit Hahn në Shqipëri

Politika shqiptare ka dështuar në përpjekjen e saj për t’i paraqitur Komisionerit për Zgjerim të BE-së, Johanes Hahn, një reformë të përfunduar ose të paktën dakordësuar në drejtësi.

Sipas të gjitha gjasave, zyrtarit të lartë të Brukselit do t’i duhet të luajë edhe rolin e negociatorit me partitë politike shqiptare.


Pas mbërritjes në Tiranë sonte mbrëma, Han zhvilloi një darkë pune me kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të bashkëdrejtojë tryezën e nivelit të lartë Shqipëri-BE.

Të mërkurën, para se t’i drejtohet tryezës, ai do të takojë për rreth 45 minuta kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Në dialogun e nivelit të lartë që është parashikuar të zgjasë dy orë, Majlinda Bregu do të jetë zëri i vetëm i opozitës. Politikanët shqiptarë do t’i raportojnë komisionerit sesi i kanë përmbushur pesë kushtet për hapjen e negociatave, ku kryesori është reforma në drejtësi

Han do të përcjellë gjithashtu një mesazh në Këshillin Kombëtar të Integrimit, për t’u takuar më pas me kryeparlamentarin Ilir Meta dhe kreun e komisionit të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj. Nuk dihet nëse bisedat me Hanin do të konkretizohen me një mbledhje të këtij komisioni për të kaluar me konsensus pjesën e mbetur nga reforma.

Pjesën më të madhe të qëndrimit në Shqipëri, Han do ta kalojë në Durrës, ku do të marrë pjesë në samit të ministrave të Jashtëm të rajonit./Shekulli.al