Zayn Malik flet hapur për racizmin kur ishte anëtar i 'One Direction': Kam punuar shumë në një grup "të bardhë"

Ish-anëtari i grupit të njohur britanik One Direction, Zayn Malik, në njoftimin e këngës së tij të re me titull "Fuchsia Sea", preku përvojat e vështira që shumë besojnë se kaloi ndërsa ishte pjesë e grupit të famshëm botëror.
Duke postuar një fragment të këngës në rrjetet sociale, këngëtari la të kuptohej përmes teksteve të fuqishme se ishte përballur me racizëm dhe një ndjenjë mospërkatësie.
Në këngë, ndër të tjera, Maliku repon: "Punova shumë në një grup të bardhë, dhe ata prapë qeshën me djalin aziatik."
Këto tekste këngësh kanë shkaktuar reagime të shumta nga fansat të cilët besojnë se Zayn po flet për identitetin e tij dhe sfidat që kaloi si i vetmi anëtar i grupit që nuk ishte me prejardhje të bardhë.
Babai i Zayn është me origjinë nga Pakistani, ndërsa nëna e tij ka rrënjë anglo-irlandeze. Për shkak të prejardhjes së tij të përzier, Zayn ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes së publikut dhe tani, me sa duket, ka vendosur të flasë sinqerisht për përvojat e tij personale përmes muzikës.

Klipi i këngës ka marrë mbështetje të fortë nga fansat në të gjithë botën. Në rrjetet sociale, ata thanë: "Jam shumë krenar për ty", "Kjo tingëllon shkëlqyeshëm", "Superman është kthyer", "Kthimi i Mbretit", ishin disa nga komentet.
Zayn Malik ka qenë anëtar i One Direction që nga formimi i tyre në vitin 2010, kur ai, së bashku me Harry Styles, Louis Tomlinson, Niall Horan dhe Liam Payne, u bashkuan për të formuar grupin pas audicioneve individuale për shfaqjen X Factor. Grupi shpejt fitoi famë globale, por Malik vendosi të largohej nga grupi në vitin 2015.
Pas largimit të tij, anëtarët e tjerë morën një pushim nga grupi dhe filluan karrierën e tyre solo. Që atëherë, Malik ka publikuar disa albume dhe ka ndërtuar identitetin e tij muzikor.
Ju kujtojmë se Liam Payne, një nga anëtarët e grupit, vdiq vitin e kaluar, dhe edhe më herët u përmend mundësia e një ribashkimi të One Direction. Harry Styles tha në një shfaqje se ai "nuk do të thoshte kurrë kurrë" kur bëhet fjalë për të gjithë anëtarët që do të performonin përsëri. /Telegrafi/



























































