LAJMI I FUNDIT:

Ymeri për rastin në Drenas: Nuk kemi ndërtuar shtet që i mbron femrat, por që i dhunon

Ymeri për rastin në Drenas: Nuk kemi ndërtuar shtet që i mbron femrat, por që i dhunon

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Visar Ymeri në seancën e jashtëzakonshme e cila po mbahet për rastin e abuzimit seksual të së miturës nga Drenasi ka thënë se nuk kanë ndërtuar një shtet që i mbron femrat, por një shtet që i dhunon ato.

Ymeri tha se duke u bazuar në këtë rast shtypja në baza gjinore ende qëndron.


“Sot e shoh shumë vështirë që të flas për vajzën nga Drenasi. Më duket hipokrizi që sa herë flasim për përdhunimin jemi shumë vonë, kemi dështuar. Nuk kemi ndërtuar shtet që i mbron, por që i dhunon. Kemi rastin e tri personave, mësuesi, polici dhe mjeku…Këta kanë pasur dhe një autoritet tjetër ai shoqëror, i të qenit burrë dhe e kanë keqpërdor. Rasti që na ka mbledhur sot konfirmon që shtypja në baza gjinore qëndron”, theksoi Ymeri.

Sipas tij, duhet ndërtuar politika rigoroze duke diskutuar kështu edhe për barazinë gjinore.

Ymeri potencoi se marrëdhënia seksuale me të mitur është përdhunim.

“Në njërën anë duhet ndërtuar politika rigoroze dhe në anën tjetër duhet ta diskutojmë barazinë gjinore…Marrëdhënia seksuale me mitur është përdhunim. Ky rast duhet t’i tejkaloj përmasat e një rrëfimi lokal, përndryshe kjo dhunë ndaj saj veç se do të rritet. Këtu kemi të bëjmë me dhunë gjinore. Rasti duhet të jetë alarm për të gjithë rastet që kanë ndodhur dhe janë duke ndodhur… Ajo që kemi bërë këto ditë në formë e reagimit shoqëror është inkurajuese…Nga një reagim i tillë shoqëror, duhet të reflektojmë me reagim institucional. Të krijojmë masa parandaluese ndaj krimeve të tilla”, u shpreh ndër të tjera, deputeti Visar Ymeri. /Telegrafi/