Real Madrid është duke u përqendruar aktualisht në largimet nga skuadra, me Rodrygo , Ferland Mendy dhe David Alaba që thuhet se janë kandidatët kryesorë për t’u larguar nga ‘Santiago Bernabeu’ para përfundimit të verës. 

Megjithatë, interesim ka pasur edhe për lojtarë të tjerë, ndër ta, edhe për Brahim Diaz. 


Në javët e fundit, interesimi për Brahimin është rritur ndjeshëm. Klubet nga Arabia Saudite si Neom SC, Al-Nassr dhe Al-Hilal janë të gatshme të ofrojnë deri në 40 milionë euro për ta transferuar nga Real Madridi. Tani edhe Benfica është futur në garë. 

Sipas të përditshmes portugeze Record, gjigantët portugezë dëshirojnë të nënshkruajnë me Brahimin si alternativë për Joao Felix, i cili së fundmi iu bashkua Al-Nassr. 

Reprezentuesi i Marokut, që ka tërhequr interes edhe nga klube të tjera të mëdha në Evropë, shihet si lojtari ideal për të forcuar skuadrën e Benficas. 

Megjithatë, lajmi i keq për Benfican është se ky operacion pritet të përfundojë njësoj si ndjekja e tyre për Felixin. 

Sipas Marca, Brahim nuk ka asnjë dëshirë të largohet nga Real Madrid këtë verë, fakt që konfirmohet edhe nga negociatat që janë drejt finalizimit për një kontratë të re pesëvjeçare me ‘Los Blancos’. 

Po ashtu, Real Madrid nuk ka në plan të ndahet me 26-vjeçarin, i cili vlerësohet shumë nga trajneri i ri Xabi Alonso. 

Brahim Diaz pritet të jetë një lojtar kyç në rotacionin e skuadrës, veçanërisht duke pasur parasysh mungesën e Jude Bellingham për tre muajt e ardhshëm, si pasojë e një operacioni në shpatull./Telegrafi/

telegrafi sport app