Ylli i Chelseat mund ta kopjojë Mason Mountin dhe t'i bashkohet Man Unitedit

Ish-trajneri i Manchester United, Rene Meulensteen, beson se Cole Palmer mund të transferohet në Old Trafford në të ardhmen, pavarësisht paraqitjeve të shkëlqyera me fanellën e Chelseat.
Holandezi theksoi faktin se anglezi ka qenë tifoz i Manchester United që në fëmijëri, gjë që sipas tij mund të ndikojë në një lëvizje të mundshme drejt “Djajve të Kuq”.
Pavarësisht se shkëlqeu te Chelsea sezonin e kaluar, duke shënuar 18 gola dhe dhënë 14 asistime, Meulensteen e sheh Palmerin si një profil të përshtatshëm për United.
“Ajo që më habiti është se si Man United e la të ikte, teksa ishte pjesë e Manchester Cityt, dhe më pas ai mori shansin e tij te Chelsea”, deklaroi ai.
“Ai është një lojtar që bën diferencën. A mund të luajë për United në të ardhmen? Po, nuk shoh arsye pse jo”.
“Sigurisht që ai ka një kontratë afatgjatë me Chelsean, por ndonjëherë gjërat nuk ecin siç duhet, dhe kur ka mosmarrëveshje mes klubit dhe lojtarit, United do të ishte një opsion shumë i mirë për të”, shtoi Meulensteen.
Performancat e shkëlqyera të Cole Palmer, përfshirë fitimin e Topit të Artë në Kupën e Botës për Klube, e kanë shndërruar atë në një nga talentet më të ndritur të futbollit anglez.




















































