Xabi Alonso i kërkon Real Madridit të mos e nënvlerësojë Juventusin

Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, u ka bërë thirrje lojtarëve të tij që të mos e nënvlerësojnë Juventusin, ndërsa të dyja skuadrat po përgatiten të përballen në fazën e 1/16-ës së Kupës së Botës për Klube.
Të dy ekipet kaluan lehtësisht fazën e grupeve, Real Madrid e përfundoi grupin në vendin e parë me shtatë pikë, ndërsa Juventusi u rendit i dyti në grupin e tij me gjashtë pikë.
Madrid humbi pikë kundër Al-Hilal, të drejtuar nga Simone Inzaghi, ndërsa skuadra e Igor Tudor pësoi humbje 5-2 nga Manchester City në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve.
Pavarësisht kësaj humbjeje të thellë ndaj gjigantëve të Ligës Premier, Xabi Alonso u ka bërë thirrje lojtarëve të Real Madridit që të mos e nënvlerësojnë Juventusin.
“Rezultati kundër (Manchester) City nuk ka rëndësi, ata kanë një skuadër të madhe dhe do të jetë shumë e vështirë”, ka thënë Alonso për Tuttosport.
Alonso është i vetëdijshëm për rrezikun që paraqet ‘Zonja e Vjetër’.
“Kur kalon fazën e grupeve, çdo ndeshje është si një finale. Juve është Juve, ata janë një klub historik në Evropë”.
Disponueshmëria e Kylian Mbappe mund të jetë vendimtare, me lojtarin ende në dyshim pas rikuperimit nga një problem në stomak.
Mbappe ishte vendimtar për Real Madridin sezonin e kaluar pas transferimit nga PSG, duke shënuar 31 gola dhe dhënë tre asistime në 34 ndeshje të La Ligës.
Megjithatë, Real Madrid nuk arriti të fitonte kampionatin, pasi Barcelona e drejtuar nga Hansi Flick ishte tepër e fortë për t'u mposhtur./Telegrafi/





















































