LAJMI I FUNDIT:

Woody Guthrie, ikona e folkut amerikan

Woody Guthrie, ikona e folkut amerikan

Bujar Meholli

Woody Guthrie lindi më 14 korrik të vitit 1912, në qytetin Okemah të Oklahomas. Ai pati një fëmijëri pjesërisht të vështirë, kur si 14-vjeçar i sëmuret e ëma, e cila shtrohet në spital për shkak të një çrregullimi të trashëguar. Prindërit e tij i takonin klasës së mesme të Okemahut. Si fëmijë, Woody, shpreh interesimin e tij për muzikën folk dhe kështu eksploron dhe mëson këngë të cilat i lënë përshtypje të jashtëzakonshme.

Kur qe 19-vjeçar, martohet për herë të parë me Mary Jenningsin, por për shkak të vështirësive financiare detyrohet ta lë gruan për të vajtur në Kaliforni, bashkë me mijëra të tjerë – për të kërkuar ndonjë punë.

Shpeshherë e sheh veten duke bredhur rrugëve, tregjeve, e njëkohësisht duke shkruar këngë. Me kitarë do të këndojë nëpër kampe emigrantësh, ku do të bëhet zëdhënës i krahut të punës. Këto përvoja do të bëhen subjekt për shumë këngë të ardhshme.

Në Los Anxhelos arrin më në fund të gjejë punë në një stacion radioje, ku edhe fillon të bëhet i famshëm duke luajtur muzikë në radio; më pas bashkëpunon edhe me gazetën komuniste People’s World, për një vit. Kështu, edhe shoqërohet me grupe komuniste të SHBA-së, por asnjëherë nuk pranon të bëhet zyrtarisht anëtarë i Partisë Komuniste.

Vajtja e tij në Nju-Jork do të shënojë fillimin e më pas edhe lulëzimin e karrierës së tij; një karriere të jashtëzakonshme që zgjati për vite të tëra.

Pasi u largua nga puna në radio, u vendos në qytetin e Nju-Jorkut, ku edhe regjistroi albumin e tij të parë në vitin 1940, të titulluar “Dust Bowl Ballads”.

Tashmë njihej me nofkën “Dust Bowl Troubadour“ dhe ishte bërë i famshëm kudo, e megjithatë kishte vështirësi në një qytet të madh si Nju-Jorku.

Në shkurt të po atij viti, Woody shkruan dhe regjistron këngën e tij të famshme “This Land is your Land“, i ndikuar nga teoria e marksizmit; kënga ishte po ashtu edhe kundërpërgjigje e “God Bless America“ të këngëtares Kate Smith, që në atë kohë kishte pushtuar radiot amerikane.

Në Nju-Jork, Woody, u prit ngrohtësisht nga artistët majtistë si dhe nga muzikantët e folkut amerikan. Bashkëpunimet me Alan Lomaxin, Pete Seegerin, Will Geerin, që rezultuan të frytshme, i dhanë ndoshta shtytjen më të madhe karrierës së Woodyt. Këngën “This Land is your Land” ai e shkroi si himn populist dhe sot kënga, gjegjësisht teksti i saj konsiderohet nga shumëkush si himni alternativ kombëtar.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, këngëtari filloi të shkruante dhe regjistronte këngë me mesazhe të forta antifashiste. Madje, u bë i famshëm slogani i tij që e vendoste në kitarë: “Kjo makinë (duke iu referuar kitarës) vret fashistët!”

Në prag të hyrjes së Amerikës në Luftën e Dytë Botërore, Woody Guthrie bashkohet me grupin muzikor Almanac Singers, ku bënin pjesë edhe shumë këngëtarë majtistë, mes të cilëve: Pete Seeger, Lee Hays, Millard Lampell, Sam Gary, Sis Cunningham, Josh White, Arthur Stern, Peter Hawes etj. Grupi u themelua në Nju-Jork, dhe ishte aktiv nga viti 1940 deri më 1943. Këngët që këta këngëtarë i shkruanin dhe i interpretonin nëpër Nju-Jork, ishin kryesisht me mesazh kundër luftës, kundër racizmit dhe pro-unionit. Ata përkrahnin antifashizmin dhe bënin pjesë në Frontin Popullor si dhe në aleancën e liberalëve-majtistë. Këta këngëtarë, mes të cilëve më i dalluari Woody Guthrie, zotoheshin për të luftuar fashizmin dhe racizmin, e njëkohësisht për të promovuar tolerancën fetare, si dhe të drejtat e punëtorëve. Ata ishin të bindur se tekstet e fuqishme që i shkruanin, mund të ndihmonin në arritjen e këtyre synimeve. Më 14 shkurt të vitit 1942, Almanac Singers perfomuan në një program të quajtur “Kjo është lufta”, i cili u transmetua në rrjetet më të mëdha mediatike të kohës.

Edhe pas shpërbërjes së grupit, Woody mbeti njëri ndër emrat më të njohur në mbarë Amerikën. Ai kudo njihej si patriot i madh, si njeri që përsiatej për të mirën e përgjithshme – për unitetin e Amerikës, derisa përpiqej që përmes artit të ndikonte në jetën shoqërore amerikane.

Përgjatë karrierës së gjatë të tij shkroi rreth një mijë këngë të cilat i kanë bërë një vend të përhershëm në historinë e kulturës dhe muzikës amerikane. Ishte ai që ia doli ta afirmojë muzikën folk, e cila dëgjohej në një masë krejt të vogël. Natyrisht, ishte artist i angazhuar, i cili shfrytëzonte artin gjegjësisht muzikën për kauzën e tij, që ishte: shtrimi i socializmit kudo në shoqërinë amerikane.

Ndikimi i tij tek artistët e mëvonshëm ishte tepër i madh. Ai ishte ndër artistët majtistë më të famshëm. Padyshim, Bob Dylan qe këngëtari që u ndikua më së shumti nga Woody Guthrie. Madje, kur ky i fundit po lëngonte në spital, ishte Dylan që i qëndronte te koka – derisa bënte debutimin në muzikën folk me këngën “Kënga për Udin” që ishte kënga e parë e Dylanit, e që më pas do ta marrë flamurin e muzikës folk dhe do ta çojë tutje duke u bërë artisti më i madh i këtij zhanri. Dylan, fitoi qindra çmime, mes të cilëve edhe Nobelin për Letërsi më 2016. Ishte pjesëmarrës në çdo ndryshim e ngjarje politike për afro pesë dekada, duke i vënë në pah mirësitë dhe shëmtitë e racës njerëzore nëpërmjet teksteve filozofike të tij…

Kah fundi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, shëndeti i Woodyt përkeqësohet ndjeshëm. I shtruar në spital qëndron deri në vitin 1967 kur edhe ndërron jetë.

Përveç Dylanit, një brez i tërë i këngëtarëve folk të inspiruar nga Woody, në 1950-1960, do t’u paraprijnë zhvillimeve më dramatike shoqërore të shekullit njëzetë.

Trashëgimia muzikore e Woodyt do të mbetet përherë e ngjitur me historinë amerikane, e pavarësisht se ai e dinte që ishte bërë pjesë e historisë së madhe amerikane, ishte përherë modest dhe punëtor i madh.

“Më pëlqen të shkruaj për çkado që ndodh”, kishte thënë një herë ai. /Telegrafi/