Facebook prezantoi WhatsApp Business në fillim të vitit të kaluar, në një përpjekje për të ndihmuar bizneset të arrijnë më lehtë klientët.

Aplikacioni fillimisht ishte i disponueshëm për shkarkim falas në Android, dhe tani disponueshmëria e tij duket se po zgjerohet edhe për përdoruesit e iOS.

WABetaInfo pretendon në Twitter se WhatsApp Business është gati për shkarkim në dyqanin e aplikacioneve meksikan.

Aplikacioni iOS gjithashtu duket se është në dispozicion në vende të tjera, përfshirë Egjiptin, Francën, Panamanë, Paraguain, Argjentinën dhe Brazilin, sipas disa përdoruesve që iu përgjigjën postimit të WABetaInfo, përcjell Telegrafi.

Aplikacioni u lejon bizneseve të krijojnë profilet e tyre në WhatsApp me një përshkrim të shkurtër në lidhje me produktet dhe shërbimet e tyre.

Gjithashtu përmban përgjigje të shpejta, mesazhe përshëndetëse të programuara dhe mesazhe që mund të dërgohen automatikisht tek klientët gjatë kryerjes së detyrave të tjera. /Telegrafi/