Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur sot kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.

Vuçiq gjatë konferencës për medie ka thënë se çështja e marrëdhënieve me Prishtinën duhet të zgjidhet përmes dialogut në Bruksel.

Presidenti serb tha se kushdo që dëshiron të marrë pjesë në “Open Balkan” është i mirëseardhur.

Por, siç theksoi ai, nëse nuk duan të marrin pjesë atëherë është problem i tyre.

“Marrëdhëniet tona me Prishtinën do t’i zgjidhim përmes dialogut në Bruksel, pasi kemi qëndrime të ndryshme, por Ballkani i Hapur u jep liri njerëzve, u jep liri sipërmarrësve, siguron shkëmbimin e mallrave, digjitalizimin, transformimin e gjithë shoqërive tona, i jep liri njerëzve për të punuar për këto çështje. Nuk e shoh pse duhet të jetë dikush kundër kësaj, kushdo që është i interesuar është i mirëpritur, kush nuk do është problem i tyre. Por, do ta shihni ndryshimit në normën e rritjes ekonomike mes nesh dhe të tjerëve por kjo do të kërkojë kohë”, tha Vuçiq gjatë konferencës për medie. /Telegrafi/