LAJMI I FUNDIT:

Vuçiq: Nuk do të bisedoj për njohjen e Kosovës as anëtarësimin e saj në OKB

Vuçiq: Nuk do të bisedoj për njohjen e Kosovës as anëtarësimin e saj në OKB

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia është e gatshme të punojë në zbatimin e shumë gjërave nga plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por tha se “nuk dua dhe nuk mund të diskutoj për njohjen reciproke dhe hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.

Vuçiq ka deklaruar se një ditë më parë në Bruksel është rënë dakord që të ketë më shumë bisedime.


“Nuk është puna e një anëtari, një letre, një takimi. Dje është biseduar në Bruksel, ne ramë dakord, do të vazhdojmë, do të ketë më shumë bisedime. Asgjë më shumë se kaq”, tha Vuçiq për televizionin publik serb RTS.

Siç raporton REL, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takuan më 27 shkurt në Bruksel dhe ranë dakord të vazhdojnë diskutimin për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Presidenti i Serbisë konfirmoi se teksti i planit të publikuar nuk mund të negociohet më dhe se ai është bërë kornizë për procesin e negociatave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

I pyetur për artikullin ku thuhet se Serbia nuk do ta bllokojë Kosovën në organizatat ndërkombëtare, Vuçiq u përgjigj: “Prandaj nuk e firmosa (planin)”, transmeton Telegrafi.

Vuçiq tha se do të diskutohet për zbatimin e planit dhe paralajmëroi ardhjen e Miroslav Lajçakut në Beograd dhe Prishtinë.

Ai saktësoi se është i gatshëm të negociojë zbatimin e pjesëve të planit si përfaqësimi rajonal, vulat doganore, qarkullimi i lirë i njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve.

Në pyetjen e përsëritur nëse është koha për të zbatuar pjesën e planit që thotë se anëtarësimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare nuk do të bllokohet, Vuçiq tha se nuk do të marrë pjesë në zbatimin e “disa gjërave”.

Ai po ashtu ka konfirmuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si obligim nga Marrëveshja e Brukselit, nuk është në hartën e zbatimit.

Vuçiq tha gjithashtu se plani i BE-së erdhi si ide e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.

“Ata sollën një letër. Nuk kishte fare mundësi për negociata. Ata thanë ‘merre ose lëre’”, tha ai.

Këto janë 11 pikat e propozimit evropian për marrëveshjen Kosovë-Serbi
Lexo po ashtu Këto janë 11 pikat e propozimit evropian për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Vuçiq tha se kur drejtohet shteti duhet menduar për pasojat.

“Dhe ata më thanë qartë se refuzimi i planit do të thotë ndalim i integrimit në BE, përfundim i investimeve, ulje e nivelit të punësimit, tërheqje e investimeve. Dhe një sërë masash të tjera gjithëpërfshirëse, duke përfshirë se Serbia do të izolohet nga bota”, tha Vuçiq, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se është e rëndësishme të flasim dhe të jemi në tryezën e bisedimeve.

“Ose do të qëndrojmë në bisedime ose do të pësojmë pasoja të rënda si në vitet e 90-ta”, tha Vuçiq.

I pyetur për deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Përbashkët, Josep Borrell, i cili më 27 shkurt deklaroi se “nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme” kur bëhet fjalë për përmbajtjen e vetë marrëveshjes, Vuçiq deklaroi se Borell nuk mundej që për planin të përdorte terminologjinë “përkrahur ose pranuar ose miratuar”.

“Sepse po flisja për konceptin dhe kornizën”.

Vuçiq tha gjithashtu se Serbia ka nevojë për normalizimin e marrëdhënieve me shqiptarët dhe se kjo duhet të diskutohet në Serbi.

Ndaj kritikave se ka tradhtuar interesat kombëtare, Vuçiq ka deklaruar se do të vazhdojë të punojë në interes të Serbisë gjatë mandatit të tij.

“Nëse njerëzit mendojnë të verifikojnë nëse gëzoj besimin e popullit, të dalin në referendum nëse mbledhin dy të tretat e shumicës, nuk është problem”, shtoi ai, duke iu përgjigjur kritikave nga partitë e djathta që kërkuan dorëheqjen e tij.

Vuçiq u tha gjithashtu të djathtëve se duan “të bëjnë luftë me fëmijët e të tjerëve”.

“Le të shkojmë në luftë dhe pastaj çfarë? Le të humbasim mijëra njerëz dhe të humbasim luftën ndaj NATO-s. Le t’i bindim shqiptarët të jetojnë në autonomi në Serbi? Të mos gënjejmë veten, kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Le të përpiqemi të bëjmë kompromise racionale për për hir të jetës normale në rajon”, tha presidenti i Serbisë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Lajme
Projekti më i mirë, Piramida e Tiranës fiton çmimin e madh për Evropën Juglindore

Projekti më i mirë, Piramida e Tiranës fiton çmimin e madh për Evropën Juglindore

Lajme
Kosova jashtë KiE-së, deputetja finlandeze akuzon BE-në se po tregohet e butë me Serbinë

Kosova jashtë KiE-së, deputetja finlandeze akuzon BE-në se po tregohet e butë me Serbinë

Lajme
​Bie nataliteti në Kosovë, ASK dhe MPB me statistika të ndryshme për lindjet

​Bie nataliteti në Kosovë, ASK dhe MPB me statistika të ndryshme për lindjet

Lajme
Kosova jashtë KiE, Mujanoviq: BE po çon ujë në ‘mullirin’ e Vuçiqit

Kosova jashtë KiE, Mujanoviq: BE po çon ujë në ‘mullirin’ e Vuçiqit

Lajme
Plagosje me armë zjarri në Nashec të Prizrenit

Plagosje me armë zjarri në Nashec të Prizrenit

Kronika e Zezë
Kalo në kategori