Gjashtë kushtet, Aleanca insiston në takim publik me LVV-në për Presidentin

Pas gjashtë deputetëve të LDK-së që kundërshtuan vendimin e partisë për Bekim Sejdiun president të Kosovës, Aleanca po thotë se ka shtatë vota në dispozicion, por kërkon zbatimin e gjashtë pikave strategjike dhe negociata publike me kryetarin e VV-së, Albin Kurti. Ky i fundit refuzoi të merret me kushtet e Aleancës. Njohësit e çështjeve politike po e konsiderojnë refuzimin të padobishëm.
Me kreun e LDK-së u mor vesh, por 6 deputetë të kësaj partie ia rrënuan matematikat.
Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku, në parim, u pajtuan që Bekim Sejdiu të jetë kandidati për president të ardhshëm të Republikës.
Por për ta bërë këtë emër realitet në Kuvend, Kurtit i duhen edhe vota të tjera.
Shtatë prej tyre mund t’i marrë nga Aleanca nëse i pranon 6 pikat strategjike të këtij subjekti politik.
Mirëpo, kjo duket se nuk është në planet e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Këtë injorim të Kurtit ndaj Aleancës e komentoi deputeti Burim Ramadani.
“Refuzimi i kësaj oferte që ndodhi në fillim të shtatori, pas dy muajsh, tregon që Kurti nuk i do 7 votat, rrjedhimisht don që t’i ndëshkojë qytetarët, edhe të shkojë në zgjedhje edhe të mos ketë kuorumin, sepse pranimi i këtyre 6 pikave, do të bënte që Aleanca të rrinte në Kuvend”, ka thënë Burim Ramadani, deputet i Aleancës.
Ramadani tha se Aleanca asnjëherë s’ka qenë kundër takimit me kreun e VV-së, veçse ato i deshi publike dhe jo të fshehura.
“Ne s’jemi organizatë lobuese, jemi parti politike që kemi qëndrime politike dhe ato publike. Aleanca nuk e ka refuzu takimin, përkundrazi e ka kërku publik dhe para kamerave. Zoti Gjini s’ka asgjë për të fshehë prej popullit, pse dikush tjetër ka dashtë me mbajtë fshehtë”, ka thënë Burim Ramadani, deputet i Aleancës.
Sipas njohësve të çështjeve politike, refuzimi i gjashtë pikave të Aleancës nga Kurti, është për keqardhje.
“Aq më tepër kjo deklaratë është më e rëndë sepse nuk merret fare parasysh, sikur të kishte lënë hapësirë për negocim apo për diskutim do të ishte më e matur dhe më konsensuale. Kur e dimë refuzimin nga gjashtë deputetët e LDK-së, nevoja për votat e Aleancës është më e madhe për të shpëtuar vendin nga një palë zgjedhje, duhej të ishte me konstruktiv”, ka thënë Fitim Mulolli, Analist politik.
Ditë më parë, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se deputetët Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së partisë për mbështetjen e Bekim Sejdiut për president./Tv Dukagjini
- YouTube www.youtube.com



































