LAJMI I FUNDIT:

Vuçiq mbështet pretendimet kineze mbi Tajvanin, analistët shohin paralele me Kosovën

Vuçiq mbështet pretendimet kineze mbi Tajvanin, analistët shohin paralele me Kosovën

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u shprehu mbështetje të vendosur pretendimeve të Kinës mbi Tajvanin dhe u angazhua për forcimin e lidhjeve me Pekinin, ndërsa synon integrimin në Bashkimin Evropian, i cili ka një qëndrim më të ashpër ndaj Kinës për shkak të mospajtimeve mbi tregtinë dhe agresionin rus në Ukrainë.

“Tajvani është Kinë dhe varet nga ju se çfarë, kur, si do ta bëni, pikë”, tha presidenti serb Vuçiq për televizionin CGTN me seli në Pekin.


“Ai është territori juaj, është populli juaj dhe ju jeni një komb sovran. I merrni vendimet vet dhe gjithmonë do të keni mbështetjen e Serbisë”, tha ai.

Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe nuk ka hequr dorë nga mundësia e përdorimit të forcës për ta vendosur ishullin nën kontrollin e Pekinit.

Analistë evropianë e shohin deklaratën e presidentit serb si një kërkesë mbështetjeje nga Kina për pretendimin e Serbisë ndaj Kosovës.

“Sigurisht, kjo është pjesë e ekuacionit”, i tha Zërit të Amerikës analisti politik Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit të Politikave të Demokratizimit me seli në Berlin.

“Për sa kohë që Vuçiqi ka liri veprimi rreth Kosovës, për shkak se perëndimi nuk është i vendosur për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë njohjen formale të Kosovës, Vuçiçi do të vazhdojë të përdorë marrëdhëniet e tij me Pekinin dhe Moskën për të ruajtur hapësirën e manovrimit”, shtoi ai.

Ndërsa, analisti Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit në Austri, tha se deklarimi i presidentit Vuçiq, nuk paraqet befasi dhe se qëndrimi ndaj Tajvanit ka kuptim për disa arsye.

Vuçiq tha se Tajvani është Kinë, reagon Serwer: Kjo tregon se dëshiron të mbajë hapur opsionin ushtarak në Kosovë
Lexo po ashtu Vuçiq tha se Tajvani është Kinë, reagon Serwer: Kjo tregon se dëshiron të mbajë hapur opsionin ushtarak në Kosovë

“Së pari, ai tërheq në mënyrë të qartë një paralele ndërmjet Kosovës dhe Tajvanit. Nëse Kina pretendon Tajvanin, po ashtu edhe Serbia pretendon Kosovën dhe është e drejta e Serbisë ta rimarrë atë. Natyrisht, ka dallime të rëndësishme, por është e qartë se Vuçiqi kishte në mendje Kosovën kur e bëri deklaratën”, tha Bieber, duke nënvizuar se ai mbështetet në Kinën për përkrahjen e Serbisë rreth Kosovës.

“Rusia e ka të drejtën e vetos, por përndryshe është një aleate e dobët në shkallë globale dhe e dyta, më pak parimore. Në fund të fundit, (Vladimir) Putini, la të kuptohet se Kosova mund të ishte një mjet pazaresh dhe ai do ta njihte nëse perëndimi do të njihte pretendimet ruse ndaj territoreve të okupuara ukrainase dhe gjeorgjiane”, tha analisti Bieber, sipas të cilit arsyeja e tretë është se qeveria serbe dhe presidenti Vuçiq, “kanë qenë të kujdesshëm për të miratuar dhe mbështetur objektivat kryesore të politikës kineze në mënyrë që të marrin mbështetje në aspektin e investimeve ekonomike”.

Presidenti serb paralajmëroi vizitën e udhëheqësit kinez Xi Jinping më vonë gjatë këtij viti në Serbi, por pa dhënë ndonjë datë të caktuar.

Vizita do të pasojë marrëveshjen për tregti të lirë që palët nënshkruan në tetor të vitit të kaluar gatë vizitës së presidentit Vuçiq në Kinë në kuadër të forumin e tretë “Një Brez një Rrugë”.

Gjatë intervistës me CGTN presidenti serb hodhi poshtë vlerësimet rreth “kurthit të borxheve”, që kanë përcjellë investimet kineze në Ballkanin Perëndimor.

Deklarimet e tij bëhen vetëm pak ditë para takimit të radhës mbi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet të enjten në Tiranë. Plani i hartuar nga Komisioni Evropian përfshinë një paketë me 6 miliardë euro investime, 4 nga të cilat në formë kredie të volitshme për gjatë vendet që aspirojnë integrimin.

Presidentja e Komisioni Ursula Von der Leyen, ka deklaruar se nëse zbatohet, plani ka mundësitë që të dyfishojë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor brenda një dekade.

Bashkimi Evropian është mbështetësi kryesor financiar i vendeve të Ballkanit Perëndimor. përfshirë Serbinë e cila në dhjetë vjet ka përfituar 4 miliardë euro pa kthim dhe 7 miliardë në kredi të “buta”.

Gjatë punimeve të Forumit Ekonomik në Davos të Zvicrës muajin e kaluar, presidenti serb Vuçiç tha se nuk mund të heq dorë nga investimet e drejtpërdrejta kineze që arrijnë në rreth 30 për qind, por as nga ato evropiane që arrijnë në rreth 65 për qind.

Analisti Bodo Weber thotë se presidenti Vuçiq për shumë vite tani pretendon se dëshiron që Serbia të anëtarësohet në BE, por në fakt gjithçka që ai dëshiron, është “të qëndrojë në pushtet”.

“Orientimi gjeopolitik që i shërben këtij qëllimi është politika e tij për t’u ulur në dy karrige, për të balancuar mes Perëndimit dhe Lindjes, për të qëndruar në lojë si me BE-në, ashtu edhe me SHBA-në në krah, dhe Kinën e Rusinë nga ana tjetër. Mendoj se intervista, fjalët e tij të forta për Tajvanin, duhet të shihen gjithashtu në kontekstin e problemeve aktuale të brendshme të regjimit të Vuçiqit, lidhur me zgjedhjet 17 dhjetorit, dhe trysninë politike nën të cilën aiu gjen veten nga BE-ja, veçanërisht nga Parlamenti Evropian që kërkon një hetim ndërkombëtar”,  tha Weber.  /VoA/

Në trend Lajme

Më shumë
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Siguri
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Kalo në kategori