LAJMI I FUNDIT:

Vret djalin e axhës për një pëllëmbë tokë (Video)

Vret djalin e axhës për një pëllëmbë tokë (Video)

Ndërtimi i një rrugice në Hajvali të Prishtinës nxiti një konflikt tragjik mes dy djemve të axhës të familjes Gashi. Për disa pëllëmbë tokë, D. Gashi dyshohet se theri me thikë në zemër djalin e axhës, Nehat Gashin. Ngjarja ndodhi të hënën rreth orë 19:00, para supermarketit të lagjes “Byqma”, që ishte pronë e viktimës.

44 vjeçari D. Gashi, nga Hajvalia, mbrëmë rreth orës 19:00 theri me thikë për vdekje djalin e axhës së tij, Nehat Gashin (40 vjeç). Deri te konflikti mes familjarëve çoi një mosmarrëveshje për kufirin e tokave të tyre, e që duhej liruar për të vazhduar ndërtimet në lagjen më të madhe të kryeqytetit.


Konflikti që përfundoi me vdekjen e Nehat Gashit ndodhi pranë supermarketit “Byqma” që është pronë e viktimës.

40 vjeçari u varros pasdite, një ditë pas tragjedisë, në varrezat e Hajvalisë.

Familja Gashi, të tronditur nga rasti, nuk kanë pranuar të rrëfejnë hollësisht për rrethanat që kanë çuar deri te konflikti.

Por ata pretendojnë se viktima dhe dorasi deri në ditën kritike kishin pasur raporte të mira mes vete dhe se ndodhia ishte tejet e papritur.

“Kanë pas raporte shumë të mira, janë dashtë si vëllezër, rasti ndodhi krejt pa pritur”, i tha shkurt Gazetës Express një familjar i viktimës.

E disa të afërm të tjerë, duke mos dashur të flasin shumë, lanë të kuptohet se sulmuesi D. Gashi ishte i sëmurë psikik.

Sido që të jetë, D. Gashi është arrestuar disa orë pasi ndodhi vrasja. Njoftimi u dha nga vetë policia e Kosovës, e cila tregon se dorasi u dërgua në mbajtje me urdhër të prokurorit.

“Në lidhje me rastin raportohet se me 13.06.2016 është arrestuar i dyshuar mashkull K/Shqiptar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Të njëjtit njoftuan edhe për vrasjen dhe se viktima kishte ndërruar jetë në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“I dyshuari mashkull K-Shqiptar, pas një mosmarrëveshje rreth një rruge ka sulmuar fizikisht duke e goditur me një mjet të mprehtë-thikë viktimën mashkull K-Shqiptar. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar në QKUK dhe si pasojë e lëndime të marra i njëjti ka ndërruar jetë”, njofton Policia.

“Në vendin e ngjarjes njësiti policor ka gjetur dhe ka konfiskuar thikën me të cilën dyshohet se është kryer vepra. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, thuhet tutje në raport, shkruan GazetaExpress.