LAJMI I FUNDIT:

Vrasjet e vajzave në barkun e nënës

Vrasjet e vajzave në barkun e nënës

“Ka grua që i ka fëmijët të një gjinie më shumë dhe e do edhe fëmijën e gjinisë tjetër… Dhe me punën time, shumë bashkëshort i kam bo me gjininë që e duan”, kjo është deklarata e kundërligjshme e një gjinekologu në Kosovë.

Kjo vjen si shkak që mozaiku i familjes në Kosovë ende nuk konsiderohet i plotë nëse familja nuk e ka një djalë.


Mentaliteti patriarkal i trashëguar me breza në shoqërinë kosovare po institucionet e drejtësisë duke lejuar që çifte të shumta që nuk u kanë lindur në rrugë natyrale djem,të kërkojnë mënyra të ndryshme për të ardhur deri tek lindja e një fëmije mashkulli.

Metoda alternative mjekësore por edhe të tilla shkencore po aplikohen nga gratë që duan të lindin fëmijë të gjinisë mashkullore, përkundër se Ligji për shëndetin riprodhues, neni 23, tek veprimtaritë e ndaluara në lëmin e riprodhimit të asistuar ndalon përzgjedhjen e gjinisë.

Pavarësisht kësaj, janë kryesisht mjekët specialistë gjinekologë ata që po ndihmojnë këto gra në gjetjen e një zgjidhjeje për selektim gjinie, që pos e kundërligjshme është edhe e dënueshme.

“Përfundimisht kam vendosë me e bo një send që ndoshta logjikisht me mjekësi nuk është e lejueshme”, shprehet një nënë e cila në intervistë për RTK, tregon se çfarë metodash përdori që të bënte selektimin e gjinisë.

“Ai që ma ka bo mu ka qenë gjinekolog, rrotullimi i anit të fëmijës, ajo ka qenë definitivja që e kam bo, se ka qenë ani në anën e vajzave, sipas gjinekologut”, thotë ajo në forme anonime.

Pas lindjes së 5 vajzave, kësaj nēne iu shtua presioni nga rrethi që të ketë edhe një djalë. Përkundër dëshirës për një djalë, bashkëshorti i saj nuk kishte ndryshuar sjelljen në raport me të e as nuk i bënte presion gruas.

Ndërkohë, çiftit iu plotësua dëshira.

“Nuk është qe kemi bërë ndonjë planifikim familjar por të gjithë fëmijët kanë ardhur me një dëshirë, dmth i kam 6 fëmijë, 5 vajza dhe një djalë, dhe jam shumë e lumtur”, shprehet ajo.

“… Pas pesë  vajzave  e kam djalin”, vazhdon rrëfimin nëna, e cila tregon se deri në momentin që kishte vendos të kishte edhe një djalë, nuk kishte tentuar të provonte as një metode të përfolur nga të afërmit, për mundësin e të pasurit një djalë.

“Deri sa kam vendos me e pas djalin pas 5 vajzave, nuk kam qenë me herët as në mjek as s’kom provu… kam shku në mjek të ndryshëm, s’kam lanë vend pa shku, kam shku nëpër mjek që kanë qenë të thirrun për atë punë”.

Me ligjet në Kosovë, selektimi i gjinisë së frytit është i ndaluar rreptësishtë dhe paraqet vepër penale.

Nga rrëfimi i kësaj gruaje kuptohet se kishte mjekë që shkelën ligjin duke u dorëzuar karshi zakoneve patriarkale. Këtë sigurisht se e bënin në kundërvlerë parash, duke ju premtuar çifteve që do të kenë një fëmijë të gjinisë mashkullore.

“Mua me kanë preferuar edhe injeksione të ndryshme edhe me shkua me u ngjesh edhe gjëra të ndryshme, por nuk kam pranuar. E vetmja ndërhyrje që kam bo unë me mujt me e bo një djalë, ka qenë rrotullimi i anit të fëmijës”.

Gruaja që ka pranuar të flasë për emisionin Udhëve vetëm në mënyrë anonime tregon se nuk është e vetmja që nga gjinekologu i është rekomanduar metoda alternative mjekësore për të mbetur shtatzënë dhe për të pasur një djalë.

“Unë tu u bazu në raste më përpara, qe kanë pas sukses edhe unë kam dashtë me provu… kam edhe të afërm të mia që janë detyrua për shkak edhe të kushteve që dojnë me e pas edhe një djalë , i kanë dy ri vajza edhe s’dojnë me e zgjatë më shumë por provojnë metoda”.

Tema e selektimit të gjinisë në Kosovë vazhdon të jetë temë tabu. Megjithëse ligjet ndalojnë selektimin gjinor kjo temë mbetët ndër më të diskutuarat ndërmjet grave në rrjete sociale. Madje, rekomandohen edhe emra mjekësh që kryejnë këtë punë.

Është Riza Malaj, gjinekolog nga Skënderaj që i prinë listës së mjekëve që nuk heziton të flasë për emisionin Udhëve për kërkesat e mëdha që ai ka nga çiftet për ti bërë me djalë.

“ Tash më shumë ka kërkesë për gjini, se sa për tjerat gjëra, i ka 3-4 vajza dhe e donë edhe një djalë, ose e kundërta por ma rrallë”, thotë doktori Malaj.

Ai thotë se ka metoda mjekësore të cilat në vazhdimsi kanë pasur sukses sipas tij në përcaktimin e gjinisë.

“…Disa  metoda që kanë kallxu sukses… 80% të rasteve që i marr e di rastin që di me e mjeku edhe kanë sukses, kanë djalë… janë të panumërta numri i pacientëve që i kam bo me djalë”, thotë me krenari Malaj.

Gjinekologu Malaj është i vetëdijshëm se një veprim i tillë i selektimit gjinor është i ndaluar me ligj por ai thotë se këtë e bënë për shkak të kërkesave dhe dëshirave të mëdha të çifteve për të pasur fëmijë të dy gjinive.

“Përcaktimi i gjinisë është i ndalum dihet, edhe nuk është e lejume… por kjo nuk është ndonjë metodë që lyp me u stopu, dëshira për gjini”, shprehet ai.

“Tash vijnë edhe prej lindjes së parë e kanë njërën gjini edhe dëshirojnë me e pas gjininë tjetër”, tregon Malaj për llojet e pacienteve që trajton,  ai thotë se përveç djalit, gjininë tjetër nuk ka kërkesa të shpeshta.

“Për vajza shumë ma rrallë, zakonisht lypin djem”.

Nëna e cila tregoi se ishte mjekuar tek disa gjinekologë ka thënë se kishte të tillë që i kishin propozuar edhe mundësinë e  fertilizimit artificial për mbetje shtatzënë. Ndonëse nuk i përmend me emra thotë se kishte të tillë që i premtonin edhe selektim të gjinisë.

“ Me IVF me kanë ofruar shumë por se kam bo, të te tret këta mjekët që kam shku me kanë ofru, nëse nuk mundesh me këto metoda që po i provojmë, mundemi me shku me IVF, por se kam pranuar”, thotë ajo.

Përveç rastit të doktorit Malaj, RTK ka siguruar një audio incizim që e ka bërë një paciente në një  spital në Rrafshin e Dukagjinit.

Redaksia nuk ka zbuluar emrin e as qytetin se ku gjendet ky spital , në mënyrë që të mos promovohen institucionet që dyshohet se shkelin ligjin përmes përcaktimit të gjinisë. Cilido institucion që ka gatishmëri vërtetimin e shkeljes së ligjit, mund të ketë në dispozicion provat e siguruara nga redaksia hulumtuese e emisionit Udhëve.

Në incizimin që është siguruar doktoresha i tregon pacientes rrugën që ajo duhet të ndjekë për të pasur mundësi të ngelë shtatzënë dhe të ketë një djalë. Doktoresha gjinekologe, megjithatë nuk jep garanci absolute se kjo do të ndodhë.

“Nëse don 100% me qenë djalë atëherë duhet vetëm me ferilizim artificial sepse ndryshe nuk mundemi me e bo”, dëgjohet duke thënë doktoresha.

Duke vazhduar se “për seleksionim të gjinisë ne nuk e bojmë, dmth ne e bëjmë ferilizimimin artificial  tek pacientët që dojnë me e bo, s’është me rëndësi a çikë a djalë, ndërsa në qoftë se don me provu në formën natyrale atëherë mundësia e shtatzënisë për djalë është dikun 70% sepse nuk mundet me qenë 100 e sak, në qoftë se ke dëshirë unë po ta  shkruaj se çka duhet me bo recepsion  detajet”, dëgjohet duke i thënë doktoresha pacientes.

Pacientja dëgjohet që thotë se ka shkuar vetëm për konsultë tek kjo doktoreshë. Udhëzimi Administrativ për fertizlimimin artificial e ndalon rreptësishtë që mjekët të japin informata që ndërlidhen me përcaktimin selektiv të gjinisë, informacione këto që doktoresha dëgjohet se i jep qysh në fillim të bisedës me pacientin.

Në një intervistë në emisionin Udhëve, doktoresha Aida Kumnova, e cila dëgjohet në ato incizime, mohon kategorikisht të ketë dhënë rekomandime të tilla, duke thënë se këto janë vetëm shpifje të pacientëve.

“Nuk ekziston metodë e sigurt për trajtimin e gjinisë, sepse në Kosovë është e ndaluar me ligj edhe nuk mundem me bisedua me pacientin për seleksionim të gjinisë….Nuk ka shanca me rekomandu…nuk mundemi është e pamundur, vetëm ai lart e cakton gjininë… as me IVF s’ka shanca, sepse është e ndaluar me ligj”, thotë doktoresha Aida Kumnova, gjinekologe obstetër.

Redaksia e emisionit Udhëve lidhur me të gjeturat e saja ka kontaktuar me Inspektoratin Shëndetësor. Ky inspektorat për momentin udhëhiqet nga u.d. kryeinspektorja Nora Kursani Demjaha.

Në përgjigjet e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se ata nuk kanë inspektime në ketë sektor.

“Inspektorati Shëndetësor realizon inspektime sipas kërkesës, ankesës dhe inspektime sipas planit të punës. Sipas informatave nga Inspektorati Shëndetësor, nuk ka pasur ndonjë kërkesë/ankesë për ndonjë inspektim të këtij lloji”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kryetari i shoqatës së Gjinekologëve të Kosovës, Dr. Shefqet Lulaj thotë se nëse ka mjekë të tillë ata e dëmtojnë rëndë imazhin e mantelbardhëve.

“Në qoftë se ka asi mjek asi gjinekolog ata nuk mund të radhiten në vargun e gjinekologëve ata janë më shumë fallgji që mashtrojnë pacientin për qëllime materiale sepse mjekësia bashkëkohore nuk e din as një metodë që paraprakisht mundesh me e përcaktua gjininë e fëmijës”, ka thënë Shefqet Lulaj, Kryetar i Shoqatës së Gjinekologëve

Ndërkohë, kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Pacientëve Besim Kodra konsideron se pavarësisht kërkesave të pacientëve, selektimi i gjinisë nga ana e mjekëve përbën vepër të rëndë penale.

“Fillimisht besoj që kërkesa për selektim të gjinisë vjen me kërkesë të grave fillimisht, dhe pastaj një shërbim të tillë janë të gatshëm me e kry edhe doktorët në këmbim të parave… për mua çdo diskutim për përcaktim të gjinisë nuk duhet as me u vazhdua me u diskutua..kjo është edhe vepër penale përdorimi i metodave të pa licencuara”, ka thënë Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës

Në Kuvendin e Kosovës, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi Fatmire Kollçaku thotë se Ministria e Shëndetësisë duhet urgjentisht të marrë masa në parandalimin e këtyre rasteve dhe të hetojë e të rrisë llogaridhënien në raport me shkelësit e ligjit.

“Është më mirë ta quajmë gjendercid që ketë tentative që ta ndryshojmë lindjen e një vajze për një djalë, kjo është e pa-tolerueshme  dhe është e ndëshkueshme me ligj”, ka thënë Kollçaku. /rtk/

Në trend Lajme

Më shumë
BE-ja mbështetë Serbinë për muri - nëse e pengon Kosovën në organizatat ndërkombëtare, do t'i procesi i anëtarësimit

BE-ja mbështetë Serbinë për muri - nëse e pengon Kosovën në organizatat ndërkombëtare, do t'i procesi i anëtarësimit

"Nënat e Srebrenicës" falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Lajme
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
“U shku me vra Ganinë”, dëshmitari tregon se çfarë dëgjoi ditën kur ndodhi vrasja e trefishtë në Gllogjan

“U shku me vra Ganinë”, dëshmitari tregon se çfarë dëgjoi ditën kur ndodhi vrasja e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
BE-ja mbështet Serbinë për muri - nëse e pengon Kosovën në organizatat ndërkombëtare, do t'i bllokohet procesi i anëtarësimit

BE-ja mbështet Serbinë për muri - nëse e pengon Kosovën në organizatat ndërkombëtare, do t'i bllokohet procesi i anëtarësimit

Lajme
Shqiptari që goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë del para gjykatës: Nuk kam pasur qëllim për ta vrarë

Shqiptari që goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë del para gjykatës: Nuk kam pasur qëllim për ta vrarë

Kalo në kategori