0Shares

Policia e Kosovës njofton se të premten në fshatin Smolicë të Komunës së Gjakovës është raportuar për të shtëna me armë zjarri, ku fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar.

Sipas hetimeve preliminare, dy qytetarë të moshës madhore kosovarë/shqiptarë ishin duke lëvizur me automjetin e tyre të udhëtarëve dhe në hyrje të fshatit nga një person i dyshuar, dyshohet se është shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit.

Policia raporton se personi i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes me ndihmën e një personi tjetër, i cili me automjetin e tij e ka asistuar të dyshuarin për ikje nga vendi i ngjarjes.

Nga të shtënat me armë nuk ka pasur lëndime në njerëz përveç dëmtimit të automjetit.

Në vendin e ngjarjes janë marrë të gjitha provat materiale dhe rasti po hetohet nga Sektori Rajonal për Hetime nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë. Policia e Kosovës me njësitë e saj relevante është duke punuar intensivisht në zbardhjen e këtij rasti dhe arrestimin e personave të dyshuar. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)