LAJMI I FUNDIT:

Vrasje, grabitje, përdhunime – rrëfimi i të miturve që po vuajnë dënimin në Burgun e Lipjanit

Vrasje, grabitje, përdhunime – rrëfimi i të miturve që po vuajnë dënimin në Burgun e Lipjanit

Në burgjet e Kosovës vuajnë dënimin një numër i madh i të rinjve që kanë kryer vepra qysh kur kanë qenë të mitur.

Te shumica e të rinjve ambienti i burgut ka ndikuar pozitivisht për të përmirësuar karakterin e tyre.

Disa prej tyre kanë vendosur të hapin zemrën dhe të rrëfejnë për krimet e tyre në RTV Dukagjini.

Vrasje e rëndë, përdhunime, vjedhje. Këto janë veprat për të cilët këta të burgosur vuajnë dënimin në burgje.

I ka vetëm 19-vjet dhe është i dënuar për vrasje të rëndë.

I riu nga Gjilani është i dënuar me 6 vite e gjysmë heqje lirie për veprën e rëndë që ka kryer.

“Kam qenë 16-vjeçar kur e kam kryer krimin. Viktima ka ardhur në drejtim timin me pistoletë…Ai tri ditë më parë më ka kërcënuar. Përkundër që kam njoftuar policinë, ata nuk kanë reaguar. Policia është fajtore për vdekjen e  tij pasi unë nuk kam pasur ku të shkojë pos shtëpisë. Unë kam qenë 16-vjeç, ai 24 vjeç”, tha ai, përcjell Telegrafi.

I riu thotë se e ka kuptuar gabimin pas veprës.

“Nuk kam tentuar arratisjen. Policia më ka marrë në shtëpi”, rrëfen tutje i riu.

Një tjetër i ri vuan dënimin në Lipjan për vrasje.

Ai thotë se viktima e tij ndërroi jetë 3 muaj pas përleshjes që ndodhi në një kafiteri.

Gjilanasi thotë se më së shumti është mërzitur për familjen pasi thotë se vet është pajtuar me faktin se do të përfundojë në burg.

“Edhe pse isha 16-vjeçarë që erdha në burg, nuk kam pasur frikë. Në dhomë më kanë vendosur me vrasës. Më kanë pritur mirë, mi kanë treguar disa gjëra”.

“Në fillim kur kamë ardhur kam qenë në paraburgim prej një muaji. Pasi jam dënuar kam dalë me të dënuarit, ku kushtet janë më të mira pasi është ambienti i hapur gjatë ditës, brenda pavijonit. Mundesh me shkua të dhoma tjetër, ki televizor, Sony Play Station, më shumë kontakt me njerëz. Je më i lirë. Në paraburgim je i mbyllur”.

Edhe të rinjtë tjerë kanë çfarë të tregojnë për të kaluarën e tyre problematike.

Rrëfime nga Burgu i Sigurisë së Lartë: Duke parë filma, jam munduar të zbatoj ato skena në realitet
Lexo po ashtu Rrëfime nga Burgu i Sigurisë së Lartë: Duke parë filma, jam munduar të zbatoj ato skena në realitet

Pavarësisht se shumica prej tyre ndjejnë keqardhje për familjen, ka nga ta që gishtin e drejtojnë pikërisht nga prindërit për fajet e tyre.

“Qysh kur kam rrahë fëmijën e fqinjit, baba më ka thënë “bravo, je ma i forti””, rrëfen njëri nga të burgosurit që për shkak të rregullave të burgut për të mitur duhet të mbetet anonim.

Por ka të tjerë që thonë se ia kanë parë “hajrin” burgut.

“Burgu ka bibliotekë mjaft të pasur. Kam lexuar shumë libra. Ndoshta po të isha jashtë nuk do të lexoja aq. Jam në vitin e dytë të fakultetit ekonomik. Më është mundësuar të studioj nga këtu”, tregon një i burgosur.

Edhe të burgosur tjerë tregojnë se ndjekin shkollimin dhe trajnimet në burg.

Flaka Imeri është zyrtare që trajton të burgosurit e mitur në Burgun e Lipjanit.

“Të miturit vijnë në burg në një gjendje shumë të rëndë psikologjike. Sidomos për ata që vijnë për herë të parë në burg. Puna me ta është shumë me e ndjeshme”, deklaroi Imeri.

Dënimi nuk është qëllimi kryesor për burgosjen e keqbërësve, por më shumë që t’i mbajë përgjegjës, duke ndikuar kështu në ndryshimin e sjelljeve të tyre./Telegrafi/