Në kuadër të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, është ekstraduar nga Italia shtetasi Sajmir Kolaveri, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas Policisë së Shtetit, ekstradimi u realizua në kuadër të operacionit “The Wanted”, që synon lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave në kërkim ndërkombëtar, raporton euronews.al.


Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), me vendim të datës 25 shtator 2025, i ka caktuar Kolaverit masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Sipas hetimeve, më 5 gusht 2020, Kolaveri dyshohet se ka bashkëpunuar me pjesëtarë të një grupi kriminal për vrasjen e shtetasit Klevis Lleshi, për motive gjakmarrjeje. Më pas, sipas akuzës, ai ka marrë pjesë në transportimin dhe varrosjen e kufomës në fshatin Shpërdhet, në Mamurras.