LAJMI I FUNDIT:

Votat për Kurtin kryeministër e Osmanin presidente – gjithçka nga takimet e deritashme

Votat për Kurtin kryeministër e Osmanin presidente – gjithçka nga takimet e deritashme
Foto: Arkiv

Të hënën është caktuar seanca ku pritet të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe krijimi i Qeverisë së re.

Ish ministri Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje është përmendur se mund të zgjidhet si kryetar i Kuvendit.

Sipas deklaratave të deritashme nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti si kandidat për kryeministër i ka votat për të formuar qeverinë e re. Por, kështu deri tash nuk është edhe për kandidaten për presidente Vjosa Osmani, transmeton Telegrafi.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani thotë se deputetët kanë obligim kushtetues që të qëndrojnë në sallë kur të votohet presidenti.

“Deputetët nuk mund të mungojnë pos me leje të kryetarit të Kuvendit”, ka thënë Hasani në “Debat Plus”.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani

Hasani thotë se qysh në raundin e parë në kutinë e votimit duhet të jenë votat e 80 deputetëve.

“Nëse kandidati nuk i merr 80 vota pro, shkohet në raundin e dytë. Por nëse nuk janë 80 vota në kuti [kuorumi i 2/3 së deputetëve], procesi nuk vazhdon dhe brenda 60 ditëve nëse nuk vjen në rend ditë zgjedhja e presidentit përsëri, shkohet në zgjedhje”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Por, a ka vota Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista e Vjosa Osmanit, për të siguruar që kjo e fundit të votohet si presidente e Kosovës?

Ditë më parë kandidati për Kryeministër, ka deklaruar se i kanë votat për ta votuar Qeverinë.

Në anën tjetër, Glauk Konjufca në një intervistë për Telegrafin ka thënë se i kanë afërsisht 64 vota të siguruara për konstituimin e institucioneve të reja të vendit.

Por, ende është e paqartë se a do  të ketë vota të mjaftueshme edhe për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka 19 deputetë të zgjedhur në Kuvend, ka deklaruar përfundimisht se nuk do ta përkrahë Vjosa Osmanin si presidente.

Kryetari në detyrë i kësaj partie, Enver Hoxhaj ka ritheksuar sot se PDK nuk do të votojë Vjosa Osmanin për presidente, madje nuk do të merr pjesë as në votim.

“Qëndrimi i PDK-së është i qartë. Ne nuk e mbështesim kandidaturën e saj, nuk votojmë për të, nuk marrim pjesë në votim. Prandaj çështjet e tilla të qëndrimeve në sallë mendoj që janë tema të natyrës teknike…”, tha ai, raporton Telegrafi.

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj / Foto: Ridvan Slivova

Ndryshe, nga PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka 15 deputetë të zgjedhur, ende nuk e ka specifikuar qëndrimin zyrtarë se a do të përkrahë apo jo ish-bashkëpartiaken e tyre, Vjosa Osmani.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku do të takohet të premten me kandidatin për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidaten për Presidente, Vjosa Osmani.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku / Foto: Ridvan Slivova

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari Ramush Haradinaj i cili në Kuvend është vet i 8-ti deputetë, ka deklaruar se është detyrë e shumicës t’i sigurojnë votat për formimin e institucioneve.

“Detyra jonë nuk është me përkrahë koncentrimin e pushtëve në një dorë. Populli ja ka jep shumicën për krijim të qeverisë, nuk ja ka dhanë 2/3 për Presidentin, është përgjegjësia e tyre me gjetë formulën sesi i bëjnë 2/3, ne si Aleancë do t’i marrim vendimet tona në institucionet tona të partisë”, tha Haradinaj.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj / Foto: Ridvan Slivova

Kurti dhe Osmani kanë takuar edhe përfaqësuesit e Listës Serbe të cilët nuk janë deklaruar fare për medie.

Pra, nuk dihet nëse do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit të Kosovës kur të votohet për Qeverinë e re dhe Presidentin.

Takime janë zhvilluar edhe përfaqësuesit e partive politike të komuniteteve tjera në Kosovë, gjashtë prej të cilëve kanë konfirmuar votën për Kurtin dhe Osmanin, ndërsa edhe katër të tjerët kanë thënë se do të vazhdojnë diskutimet.

Takimet e Albin Kurtit e Vjosa Osmanit me komunitete / Foto: Ridvan Slivova

Votën për e kanë konfirmuar: Duda Balje nga SDU, Elbert Krasniqi nga IRDK, Emilja Rexhepi nga NDS, Erxhan Galushi nga LPRK, Bekim Arifi nga PAI dhe Bahrim Shabani nga Koalicioni VAKAT.

Ndërsa, dy përfaqësuesit e KDTP-së, Fikrim Damka dhe Fidan Jilta, deputeti nga komuniteti goran Adem Hoxha dhe Fadil Gashi nga Iniciativa Rome, kanë thënë se diskutimet do të vazhdojnë.

Takimet e Albin Kurtit e Vjosa Osmanit me komunitete / Foto: Ridvan Slivova

Në bazë të këtyre deklaratave del që Albin Kurti si kryeministër mund t’i ketë mes 62 deri në 65 vota në Kuvend.

Por, deri më tani situata nuk qëndron kështu me kandidaten për Presidente, Vjosa Osmani së cilës i duhen 80 vota në kuti në raundin e parë, për të vazhduar me raundin e dytë dhe të tretë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Kalo në kategori