Volkswagen ka prezantuar sistemin e tij të parë full-hybrid, i cili do të jetë i disponueshëm në modelet Golf dhe T-Roc.

Teknologjia e re kombinon drejtimin elektrik me efikasitet të lartë dhe autonomi të gjatë, pa pasur nevojë për karikim nga jashtë.


Sistemi i ri hibrid përbëhet nga dy motorë elektrikë dhe një motor benzine me turbo, duke ofruar konsum më të ulët të karburantit krahasuar me sistemet mild-hybrid.

Energjia për lëvizjen elektrike krijohet gjatë vozitjes përmes rikuperimit të energjisë dhe nga motori me benzinë i kombinuar me një gjenerator.

Volkswagen ka njoftuar se versioni i parë i këtij sistemi do të ketë fuqi prej 125 kW (170 kuaj/fuqi).

Automjetet mund të lëvizin përkohësisht vetëm me energji elektrike në përdorimin e përditshëm, ndërsa bateria karikohet gjatë vozitjes dhe nuk kërkon lidhje me një prizë elektrike.

Me këtë teknologji, kompania gjermane synon të ofrojë një alternativë për shoferët që duan përfitimet e elektrifikimit, por pa varësinë nga stacionet e karikimit.

Sistemi i ri synon uljen e konsumit të karburantit dhe të emetimeve të CO₂, duke ruajtur komoditetin dhe performancën e modeleve tradicionale.

Modelet Golf Hybrid dhe T-Roc Hybrid pritet të dalin në treg në fund të vitit. Me këtë hap, Volkswagen po zgjeron gamën e automjeteve të elektrifikuara dhe po hyn më fuqishëm në segmentin e hibrideve të plota, krahas modeleve elektrike dhe plug-in hibride. /Telegrafi/