Volkswagen po shqyrton fundin e Seat - marka mund të zhduket deri në vitin 2029

Grupi Volkswagen po shqyrton heqjen gradualisht të markës Seat deri në vitin 2029, si pjesë e një programi gjithëpërfshirës për thjeshtimin e operacioneve dhe uljen e kostove.
Propozimi, i cili raportohet se tashmë është miratuar nga drejtuesit e Volkswagenit, pritet të shqyrtohet nesër, të premten, më 4 shtator, nga bordi mbikëqyrës, sipas raportimeve të mediave gjermane.
Sipas planit, Seat do të largohej nga portofoli i markave të Grupit Volkswagen deri në fund të kësaj dekade, ndërsa burimet financiare do të përqendroheshin te Cupra, marka e shkëputur nga Seat, e cila aktualisht po shënon rezultate shumë të mira.
Grupi Volkswagen zyrtarisht ka refuzuar të komentojë për vendimin e raportuar. Një zëdhënës tha se dokumentet e brendshme diskutohen dhe miratohen nga organet kompetente dhe se kompania nuk dëshiron të paraprijë këtë proces.
Në një deklaratë dërguar revistës Autocar, Seat Cupra UK nuk e mohoi raportimin, por tha:
“E gjithë industria, përfshirë Grupin Volkswagen dhe, natyrisht, Seat S.A., po kalon një transformim të thellë, të nxitur nga angazhimi ynë për elektrifikimin.
Konteksti global ka ndryshuar ndjeshëm, duke ndikuar fuqishëm në sektorin e automobilave, veçanërisht gjatë vitit të fundit. Për këtë arsye, Grupi Volkswagen po punon për një plan transformimi për të gjithë aktivitetin e Grupit, me qëllim forcimin e konkurrueshmërisë dhe efikasitetit.
Synimi është që i gjithë Grupi Volkswagen dhe subjektet përkatëse të bëhen më efikase dhe të shfrytëzojnë në mënyrë të vazhdueshme potencialin e sinergjive teknologjike.”
Shitjet e Cupra-s u rritën me 32.5 për qind, duke arritur një rekord prej 328.800 automjetesh në vitin 2025, ndërsa dërgesat e Seat ranë me 17 për qind, në 257.400 automjete.
Për Volkswagenin, mbajtja e dy markave spanjolle nënkupton shpenzime më të mëdha për zhvillimin, marketingun dhe shpërndarjen e automjeteve që shpesh konkurrojnë për të njëjtët blerës. /Telegrafi/


































