eksperti-banner

Nga VLEN thonë se debati i zhvilluar në Parlamentin Evropian mbi Raportin për Maqedoninë e Veriut dhe mesazhet e përcjella nga eurodeputetët përfaqësojnë një konfirmim të qartë se perspektiva evropiane e vendit tonë është e gjallë, reale dhe e arritshme.

"VLEN e vlerëson si veçanërisht të rëndësishëm mesazhin e raportuesit për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, se vendi ynë ka potencialin dhe kapacitetin për të qenë pjesë e valës së ardhshme të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Kjo dëshmon se institucionet evropiane vazhdojnë ta shohin Maqedoninë e Veriut si pjesë të familjes evropiane dhe partner të besueshëm në rajon".


"Për VLEN-in, integrimi evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por një orientim strategjik dhe civilizues që garanton sundim të ligjit, institucione funksionale, zhvillim ekonomik, standard më të lartë jetese dhe perspektivë më të mirë për qytetarët".

"Ne besojmë se rruga drejt Bashkimit Evropian kalon përmes reformave të vërteta, luftës kundër korrupsionit, forcimit të shtetit të së drejtës, administratës efikase dhe institucioneve transparente. Pikërisht për këtë arsye, VLEN do të vazhdojë të kontribuojë me përgjegjësi dhe vendosmëri në përmbushjen e agjendës reformuese dhe në avancimin e procesit eurointegrues", thonë nga VLEN.

Më tej theksojnë se ruajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore, dialogu konstruktiv dhe respektimi i vlerave evropiane përbëjnë elemente thelbësore për suksesin e këtij procesi.

"VLEN qëndron fuqishëm në anën e integrimit evropian dhe do të vazhdojë të punojë për avancimin e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si një synim strategjik shtetëror", thonë nga VLEN.