VLEN vlerëson se propozim-ligji për arsimin e lartë reflekton pjesën më të madhe të kërkesave dhe sugjerimeve të universiteteve shqiptare, duke theksuar se reforma është ndërtuar përmes konsultimeve me komunitetin akademik dhe jo përmes vendimeve të imponuara.

Nga VLEN theksojnë se reforma në arsimin e lartë nuk mund të bëhet me arrogancë politike, por duke dëgjuar studentët, profesorët dhe institucionet që përballen çdo ditë me sfidat e sistemit universitar.


Sipas koalicionit, pikërisht përmes këtij procesi konsultativ, në tekstin përfundimtar të ligjit janë reflektuar shumica e sugjerimeve të universiteteve shqiptare, gjë që, sipas tyre, dallon nga qasjet e mëparshme kur, siç thuhet, zgjidhjet imponoheshin nga lart pa dialog me palët e prekura.

VLEN veçon si një nga ndryshimet kryesore heqjen e H-indeksit si kriter bazë për vlerësimin e kuadrit akademik, ndërsa thekson se ligji nuk rrezikon vendet e punës të stafit universitar, por, sipas tyre, krijon më shumë hapësirë për avancim profesional dhe zhvillim akademik.

Në njoftim rikujtohet se pas ndryshimeve ligjore të vitit 2018, të cilat VLEN i cilëson si jofunksionale, tashmë po bëhen korrigjimet e nevojshme për të ndërtuar një sistem të arsimit të lartë më cilësor dhe më të lidhur me nevojat e studentëve dhe tregut të punës.
“Studenti është në qendër, universiteti është bazë e zhvillimit, ndërsa arsimi shqip mbetet prioritet kombëtar”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.